Panuçi flet për Norvegjinë, Agolli thuajse e mbyll me kombëtaren

schedule13:06 - 19 Mars, 2018

schedule 13:06 - 19 Mars, 2018

Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, sqaroi zgjedhjet e bëra për miqësoren ndaj Norvegjisë që do të luhet në 26 Mars. Italiani flet për lënien jashtë të kapitenit Agolli, dhe për thirrjen e lojtarëve nga Superliga shqiptare.

Thjeshtësinë dhe sportivitetin i ka gjithnjë me vete.

Roli i trajnerit të Shqipërisë i shkon shumë Kristian Panuçit, aq më shumë me fillimin pozitiv, veçse roli që ka e detyron të mos jetë gjithnjë simpatik.

Pas dënimit që i dha Cikalleshit dhe sjelljes disa herë të ashpër, ja ku vjen vendimi i vështirë i radhës, lënia jashtë nga miqësorja me Norvegjinë e kapitenit Ansi Agolli.

“Duhet të themi se Agolli në Tetor mbush 36 vjeç, ndërsa Europiani është në vitin 2020. Ne e kemi për detyrë që të kërkojmë dikë tjetër. Kam folur me Agollin dhe i kam thënë se nëse do të kem nevojë, do ta kem në konsideratë. Jam i qartë, shumë i qartë në atë që them. Në Europian, Agolli do të jetë 38 vjeç, dhe bëhet e vështirë. Përsa i përket kapitenit të ardhshëm, ai do të jetë lojtari me më shumë ndeshje nga ata që do të jenë në formacion”.

Një tjetër zgjedhje jo shumë e lehtë ishte thirrja e Armando Sadikut, që po has vështirësi në Spanjë tek Levante.

“Sadikun e njoh mirë dhe duhet të them se aktualisht po luan pak, dhe ky është një problem. Rikuperojmë Balajn e Cikalleshin që janë alternatia të rëndësishme. Sadikun e mora sepse është lojtar i rëndësishëm për ne. Ka luajtur 30 për qind të ndeshjeve që nga janari, por kombëtarja duhet edhe t’i ndihmojë lojtarët, ashtu siç bëmë me Alijin kur nuk kishte ekip, dhe pasi e thirra e gjeti skuadrën”.

Gjithsesi, nuk është vetëm Sadiku që shqetëson.

“Problemi më i madh është se shumë lojtarë nuk luajnë në skuadrat e tyre. Lila ka luajtur pak, Latifi ka luajtur pak, Sadiku ka luajtur pak, Mavraj në kohët e fundit po ashtu pak. Për këtë arsye zgjodha një miqësore të vetme, për të pasur mundësi të punojmë, sepse nëse luan dy ndeshje, nuk punon dot”.

Superliga shqiptare është ndjerë gjithnjë e lënë jashtë vëmendjes, por Panuçi këtë herë thirri Hoxhën, Lilajn, Abazajn e Gavazajn.

“Unë jam trajneri i Shqipërisë dhe është normale që ta ndjek kampionatin shqiptar. Kam ndjekur kampionatin shqiptar dhe e kam për detyrë sepse jam trajner i Shqipërisë. Abazaj dhe Gavazaj janë lojtarë të fortë një kundër një, dhe lojtarë të tillë mua më pëlqejnë. Përderisa po luanin mirë, ishte e drejtë t’u jepja një shans. Tani ata duhet ta provojnë se janë lojtarë për kombëtaren”.

Çfarë pret trajneri nga miqësorja e 26 Marsit, vetëm lojë të mirë, apo edhe fitore?

“Mua më pëlqen të fitoj, sepse fitorja i jep besim skuadrës. Ne po bëjmë një punë të ndryshme nga ajo e De Biazit, pra unë po bëj punën time, dhe në këto momente të fitosh siç bëmë në Turqi, duke luajtur edhe futboll, bën që ekipi të ketë më shumë besim dhe vlerësim për veten”.
Disa lojtarë e kanë refuzuar Shqipërisë, dhe rasti më i fundit ishte ai i Edon Zhegrovës. Përgjigja e Panuçit ishte e qartë edhe pse me një fjalë banale.

“Nuk kanë b… . Duhet të vendosin ata, jo të vendosë babai, halla, gjyshja apo shoku i lagjes. Kush nuk ka b…, në nivel të lartë nuk mund të luajë”.

Panuçi është i kënaqur që ka dy portierë të nivelit të lartë, duke mos quajtur asnjërin titullar, pret të shohë vlerat e Bujar Likës në krah të djathtë, ndërsa shpreh bindjen se të dëmtuarit si Veseli apo Abrashi të kthehen në fushë sa më shpejt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!