Zak Topuzi: Industria turistike po mundohet të mbijetojë, ka mungesë likuiditeti

schedule22:09 - 13 Maj, 2020

schedule 22:09 - 13 Maj, 2020

Kreu i sektorit të hotelerisë Zak Topuzi në “Byro Politike” theksoi se në këtë situatë pandemie turizmi po mundohet të mbijetojë dhe se në rast shkohet në falimentim është e vështirë për tu ringritur.

“Turizmi është një industri e lidhur zinxhir me industri të tjera. Gati gjysma e punëtorëve në Shqipëri janë të angazhuar indirekt. Është kthyer në një mënyrë jetese nuk është çështje luksi”, u shpreh ai.

Gjatë intervistës në studio me gazetaren Juli Xhokaxhi, ai sqaroi se protokolli për hapjen është akoma i paqartë.

“Problemi i lokaleve që kanë ambiente të jashtme është pak më i thjeshtë, por problemi më i madh mbetet te ambientet e mbyllura. Kërkesa është shumë e thjeshtë, pasi ka një diskriminim për këtë industri. Ose duhet ta subvencionosh këtë industri ose duhet ta nxjerrësh nga tregu.

Në rast se do të mbash të mbyllur Tiranën turizmi ka marrë fund. Kërkesa jonë bazë është të na jepe mundësia të përgatiten plazhet dhe të njihemi me protokollin pasi ka një kontradiktë me Pushtetin Vendor. Industria turistike ka mungesë likuideti.

Të dyja kreditë janë akoma në fazën që nuk vlejnë për industrinë turistike. Hotelet kanë kosto shumë të lartë punëtorie. Në rast se do të marrësh kredi për punëtorët që qëndrojnë në shtëpi është njësoj sikur të vrasësh vetën”, u shpreh ai./abcnews.al