Yje dhe dështime, njihuni me formacionin që zbrazi xhepat e Milanit

schedule23:00 - 13 Maj, 2020

schedule 23:00 - 13 Maj, 2020

Merkato, është një bast. Futbollistët, janë të mbushur me surpriza. Projekti i një klubi, rrallëherë konkretizohet siç parashikohet. Blerje me pak zë, që kanë rezultuar të suksesshme, janë të shumta. Por ata që “djegin” më shumë, janë transferimet e shtrenjta dhe me optimizëm, por që në fund dështojnë.

Faqja e vlerës së lojtarëve në treg, Transfermarkt, ka bërë një formacion me 11 blerjet më të shtrenjta të Milanit në histori. Shumë pak janë apo kanë qenë të suksesshëm, ndërsa shumica kanë kaluar një aventurë për t’u harruar me kuqezinjtë.

Jens Lehmann (4.3 mln euro) – Gardiani gjerman, u transferua te Milani nga skuadra e Schalkes dhe shihej si portieri i duhur për të mbrojtur portën kuqezi. 1 sezon dhe vetëm 5 ndeshje: Për t’u harruar!

 

Andrea Conti (24 mln euro) – Kjo shifër, shkoi në arkat e Atalantas, ndërsa Milani, mori një futbollist për të cilin më shumë është kujdesur në infermieri. Conti në Bergamo, ishte një futbollist shumë i mirë dhe parashikohej të shpërthente te Milani. 16 ndeshje në tre vite, vetëm një asist: Këto statistika flasin vetë…

 

Mattia Caldara (35 mln euro) – Një tjetër dështim. Qendërmbrojtësi erdhi nga skuadra e Juventusit në San Siro, si shkëmbim me Bonuçin. Vetëm 156 minuta në Serie A, ndërsa Milani shpreson ende tek ai, duke parë që është 26 vjeç.

 

Leonardo Bonuçi (42 mln euro) – Blerja më e shtrenjtë në historinë e Milanit: 1 sezon, kapiten, largim sërish drejt rivalit të përjetshëm. Aventura e Bonuçit te Milani, mund të quhet e pakuptimtë…

 

Theo Hernandez (20 mln euro) – Më në fund! Pas katër dështimesh, tifozët e Milanit kanë një arsye pse të gëzohen. Theo ka qenë i shkëlqyer për kuqezinjtë dhe është shndërruar në idhull për tifozerine. Real Madrid, nuk po i kapërdin dot ato 20 milion euro.

 

Lucas Biglia (19.7 mln euro) – Te Lazio, Biglia ishte një ndër mesfushorët më të mirë në Serie A. Te Milani, tjetër histori. Përveç problemeve në fushë, mesfushori argjentinas kishte probleme dhe me Kessie.

 

Franck Kessie (24 mln euro) – Dukej bast i fituar, një lojtar i fortë dhe i palodhur në mesfushë. Por, që nga transferimi i tij nga Atalanta, Kessie nuk ka gjetur paqe dhe në çdo merkato transferimi, flitet për largim të tij.

 

Lucas Paqueta (38.4 mln euro) – Një ndër blerjet më të shtrenjta në historinë e Milanit. I ardhur nga Flamengo, braziliani konsiderohej si pasardhësi i Kaka, por deri më tani, është shumë larg…

 

Rui Costa (41.3 mln euro) – Çfarë lojtari, çfarë klasi. Portugezi është padiskutim një ndër blerjet më të goditura të Milanit. Me numrin 10 mbi shpinë, dukej i pandalshëm.

 

Andre Silva (38 mln euro) – Me Porton, ishte golashënuesi më i mirë në kampionatin portugez, por që kur u transferua te Milani, nuk ka treguar thuajse asgjë. Tani, i huazuar te Frankfurt dhe me të ardhme të paqartë.

 

Pippo Inzaghi (36.2 mln euro) – Ky futbollist, ishte i dashuruar me golin. Juventusi u pendua për shitjen e tij, ndërsa Milani fitoi një nga golashënuesit më të mirë të futbollit modern. Padiskutim një sukses!

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!