Hamza Cela do të qëndrojë në burg pa afat, për vrasjen e kushëririt të tij, Ramadan Cela, pasditen e së hënës, në fshatin Jaupas të Skraparit. Gjykata e Beratit, e mori këtë vendim bazuar në kërkesën e Prokurorisë.
37-vjeçari, Hamza Çela u shoqërua në seancë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa në ambientet e jashtme të Gjykatës nuk ishte asnjë i afërm i të riut. Çela ka marrë përsipër autorësinë e krimit, ndërsa avokati Agron Mahmutaj sqaroi se ai ishte penduar për aktin .
“U ndje i penduar dhe pretendon se është ofenduar nga viktima”, u shpreh ai.
Avokati kërkoi që klienti i tij, të shtrohet në spitalin psikiatrik të Vlorës, edhe pse nuk ka kartelë mjekësore.
“Siç ka deklaruar edhe vëllai i tij, Hamza Çela vuan nga një çrregullim mendor”, thotë më tej avokati.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së hënës në fshatin Jaupas.
77-vjeçari Ramadan Çela u masakrua me thikë nga i afërmi i tij Hamza Çela, pas një debati për çështje pronësie.
Viktima, prej vitesh jetonte në qytetin e Poliçani. Ishte kthyer në shtëpinë e vjetër në fshatin Jaupas për tu kujdesur për të mbjellat, por duke vaditur parcelën e mbjellë me domate ai u qëllua për vdekje.
Autori i këtij krimi mësohet se ishte dhe përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa disa herë ka qenë i ndaluar për dhunë në familje. /abcnews.al