Sot në orën 10:30 pritet të mblidhet tryeza politike për Refomën Zgjedhore. Ndërkohë janë zbuluar edhe email-et e dy përfaqësuesve të opozitës Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit.
Në email-in e tij Petrit Vasili i ka cilësuar si “provokim i rëndë” deklaratat e kryeministrit Edi Rama për kushtëzimin e reformës zgjedhore me dy pika të panegociueshme dhe për kufizimin e reformës vetëm tek rekomandimet e OSBE\ODIHR-it, pa marrë parasysh qendrimet e opozitës, ndryshe nga marrëveshja e janarit.
“Është e qartë se ky qendrim publik i kryeministrit është një provokim i rëndë për Këshillin Politik, që minon frymën e konsensusit. Këshilli politik nuk është as zyrë dhe as paradhomë e kryeministrit. Ky kryeministër me rekorde tepër të rënda në manipulimin dhe kriminalizimin e zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka asnjë interes për të mbështetur propozimet e opozitës, që pastrojnë zgjedhjet nga shitblerja dhe kriminalizimi. Nuk mendoj se OSBE – ODIHR janë noterizuesit e propozimeve të njëanshme provokative dhe antikosensuale të Kryeministrit.”- shkruhet në email-in e Vasilit.
Po ashtu, Vasili ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes, duke e konsideruar mbajtjen e saj një farsë në kushtet kur kryeministri ka paracaktuar rezultatin. Por ajo që mësohet është se opozita nuk do të mungojë në mbledhjen e orës 10.30.
Nga komunikimi kuptohet se ka për të qenë një takim i vështirë. “Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, pas deklarimeve të kryeministrit kryetar partie të tij, është tashmë në kushtet e pamundësisë së plotë të negociimit dhe të mungesës së plotë të besimit e të sinqeritetit politik për të ndërtuar konsensus.Pa qartësuar në nivel politik një situatë të tillë, vazhdimi në këto kushte i punës së Këshillit Politik do të ishte vetëm një peëmbushje e skenarit të Kryeministrit për zvarritjen e procesit të reformës zgjedhore, me qëllim fitimin e kohës dhe vendosjes përpara faktit të kryer e votimit të njëanshëm të kësaj reforme.”– thuhet në emailin e darguar nga Petrit Vasili për anëtarët e Këshillit Politik.
Qendrimet e Vasilit janë mbështetur edhe nga përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi. Sipas tij vijat e kuqe të vëna nga kryeministri Rama minojnë qëllimisht procesin politik të Reformës.
“Vija të kuqe si këto që ka vënë sot Kryeministri Rama në lidhje me dy nga çështjet e nxehta të Reformës Zgjedhore, kur sjellja e tij ka rënduar pikërisht ato fusha problematike, jo vetëm janë krejt pa bazë në rekomandimet e ODIHR, por minojnë qëllimisht procesin politik të Reformës, pikërisht në momentin e rinisjes së saj.” – shprehet Bylykbashi, i cili tregon edhe qëllimin e kryeministrit me reformën zgjedhore.
“Këto qendrime tregojnë qëllimin e maxhorancës për të ecur drejt ndryshimeve të njëanshme në Kod, pas minimit të punës së Këshillit Politik apo akoma më keq, duke shkelur dokumentin e kompromisit të janarit 2020, mbi të cilin bazohet reforma, ndryshimet konsensuale të Këshillit mund të ndryshohen me votën e maxhorancës në Kuvend, pavarësisht angazhimit për mosndryshim të këtyre amendamenteve.
Konsensusi politik është themeli i kushtit të BE për reformën nga Këshilli dhe Kryeministri me këto qendrime vë në pikëpyetje përpjekjet për konsensus që duhet të udhëheqin punën e Këshillit Politik në tre javet në vijim, deri në afatin e dakordësuar të 31 majit”– shkruan Oerd Bylykbashi.
Kujtojmë se ditën e djeshme gjatë një konference për mediat, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët edhe për propozimin e opozitës që përfundimi i Reformëz do të sjellë edhe zgjedhjet e parakohshme që sipas tyre janë e vetmja zgjidhje.
Lidhur me këtë Rama tha se janë duke u ndjekur rekomandimet e OSBE-ODHIR, dhe propozimet e opozitës nuk përputhen me këto rekomandime. /abcnews.al