Zlatan Ibrahimovic është rikthyer ditën e djeshme në Itali. Milani ka nisur stërvitjen prej disa ditësh, ndërsa sulmuesi suedez do detyrohet të izolohet për 14 ditë. Gjatë kësaj kohe nuk ka qëndruar pa stërvitje, diçka që e ka bërë në Suedi me skuadrën e Hammarby, klub në të cilin është bashkëpronar.
Dy javë karantinë janë të nevojshme, por shumë në aspektin e stërvitjes. Gjithsesi, Milani e ka gjetur një zgjidhje që bomberi të mos vuajë shumë dhe të ketë mundësi për t’u stërvitur mirë. Kuqezinjtë kanë përgatitur një program të veçantë, por jo vetëm kaq.
Ibra do ta kalojë karantinën në Milanello, qendrën stërvitore të skuadrës. Ai mund të dalë nga dhoma e tij në kohën që të mos ketë njerëz të tjerë në qarkullim. Kjo do i mundësojë stërvitjen në fushat e shumta, vrapimet në natyrë dhe punën në palestër. /abcnews.al