Të dielën, Koreja e Jugut ka raportuar për 34 raste të reja me COVID-19, që paraqet numrin më të madh të rasteve ditore gjatë një muaji. Numri i përgjithshëm i personave të infektuar ka arritur në 10,874.
Koreja e Jugut ka ndërmarrë masa menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus, duke u cilësuar si histori suksesi, për shkak të strategjisë agresive që përdori për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Por, të shtunën, vetëm disa ditë pasi nisën të lehtësohen masat e izolimit, kryebashkiaku i Seulit urdhëroi që të gjitha kafenetë të mbyllen sërish, duke thënë se kjo po bëhet nga frika prej një shpërthimi tjetër të infeksioneve.
Njëri nga personat e infektuar është një 29-vjeçar, i cili kishte qenë në një zonë mjaft të frekuentuar në Seul. Tani autoritetet janë duke gjurmuar dhe testuar afro 1,510 persona që kishin qenë në të njejtin vend ku kishte qëndruar i infektuari.
Presidenti jugkorean, Moon Jae-in tha se rastet e reja të infektimeve kanë “rritur vetëdijen se edhe gjatë fazave të qendrueshme, situata të ngjashme mund të ndodhin sërish, në çdo kohë”./abcnews.al