E pamundur të mos lexosh diçka në mediat italiane për Marash Kumbullën. Edhe pse futbolli ka ndalur, merkato është një temë që nuk mund të anashkalohet dhe për mbrojtësin e Hellas Verona janë të shumta ekipet që interesohen. Një ditë më parë doli në skenë edhe Lyon në Francë.
Tashmë kthehet pista Lazio dhe “Il Messaggero” në Itali raporton se klubi kryeqytetas është futur në garë fuqishëm dhe po tenton ta transferojnë lojtarin e kombëtares shqiptare, duke shfrytëzuar edhe raportin e mirë që kanë me klubin e Hellas Verona.
Pak kohë më parë Igli Tare kishte bërë një lëvizje konkrete, duke kontaktuar me familjarët e Kumbullës. Gjithsesi për të duhet paguar një shifër e konsiderueshme, pasi janë të shumta klubet që e duan dhe transferimi i tij është kthyer në një ankand.
Nuk ka shumë kohë që i ka mbushur 20 vjeç dhe e ka treguar veten që në sezonin debutues në Serie A, ndaj edhe të gjithë besojnë se do të bëjë edhe më mirë në vazhdim. /abcnews.al