Mbledhje e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës

schedule13:54 - 16 Mars, 2018

schedule 13:54 - 16 Mars, 2018

Pas anulimit të mbledhjes mes qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Serbisë, burime zyrtare nga Shkupi dhe Prishtina konfirmojnë se shumë shpejt do të mbahet një mbledhje e përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë.

Të enjten janë takuar në Kaçanik, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani. Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, Hoxhaj konfirmoi se shumë shpejt do të mbahet një mbledhje e përbashkët me qeverinë e Maqedonisë. Ai shtoi se data dhe vendi i kësaj mbledhjeje do të caktohen nga kryeministrat Haradinaj dhe Zaev dhe se temat për diskutim do të jenë mbi 30.

Kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar Maqedoninë si një partner serioz për Kosovën, duke përmendur marrëdhënien e fuqishme me shtetin fqinj. Duke iu drejtuar ministrave të tij, Haradinaj tha se përgatitja e mbledhjes ka detaje protokollare dhe kohore dhe se temat duhet të jenë të sakta. Ai kërkoi seriozitet në takimin e dy qeverive në mënyrë që të ishte domethënës.

Vendimi vjen pas anulimit të mbledhjes së përbashkët mes qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë të planifikuar në fund të muajit Mars në Nish. Anulimi u bë me kërkesën e kryeministres serbe./abcnews.al