Ligji i Gjuhëve/ Merren në mbrojtje deputetë të LSDM

schedule13:39 - 16 Mars, 2018

schedule 13:39 - 16 Mars, 2018

Në Maqedoni vazhdojnë reagimet kundër miratimit të ligjit të gjuhëve. Protestues të shumtë kanë kërcënuar disa nga deputetët e LSDM-së në banesat e tyre. Këta të fundit janë marrë në mbrojtje nga policia

Janë marrë masa sigurie nga policia maqedonase pranë disa prej shtëpive të deputetëve të LSDM-së, të cilët votuan pro miratimit të ligjit të gjuhëve në parlament duke e bërë gjuhën shqipe gjuhë zyrtare. Qindra qytetarë u mblodhën në Veles para shtëpisë së deputetit të LSDM, Pance Ivanov, duke hedhur akuza për tradhëti. Një protestë e ngjashme është mbajtur dhe në Prilep.

Ndërkohë prifti maqedonas Agatangel ka reaguar për votimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve duke thënë se populli ortodoks është i tmerruar nga dhunimi i demokracisë, që sipas tij është organizuar nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi. Prifti u shpreh se mbështet plotësisht presidentin e Maqedonisë, Ivanov, që të mos nënshkruajë dekretin e ligjit antishtetëror dhe antikushtetues, i cili u miratua në mënyrë jo civile. Ai më tej shtoi se deputetët që e votuan Ligjin e Gjuhëve nuk mund të konsiderohen si përfaqësues të popullit, pasi sipas tij, kanë shkelur rendin kushtetues.

Sloganet ksenofobe kundër shqiptarëve në muret rrethuese të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup kanë tronditur opinionin publik.

Ndaj tyre reagoi dhe ministria e Jashtme e Shqipërisë, duke shprehur indinjatën e thellë për gjuhën e urrejtjes që ushqehet. Në deklaratën për shtyp thuhej se kjo është e disata herë që institucionet kulturore që ruajnë dhe pasqyrojnë historinë, traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare në Maqedoni dhunohen qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte, të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve.

Këto akte, pikërisht në momentet kur afrimi dhe kohezioni ndëretnik njeh hapa progresi drejt forcimit të mëtejshëm janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, stabilitetit e harmonisë ndëretnike në vendin fqinj, thuhet më tej. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë u kërkoi autoriteteve të Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cënojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin./abcnews.al