Zërat për prishjen e stadiumit të Kamzës, kryebashkiaku Suli: As e kemi menduar!

schedule18:32 - 8 Maj, 2020

schedule 18:32 - 8 Maj, 2020

Rakip Suli, kryetari i Bashkisë së Kamzës, ka shuar zërat për një prishje të mundshme të stadiumit të Kamzës. Në një prononcim të dhënë për “ABC News”, të transmetuar gjatë emisionit “Studio Sprint” të Gerti Çarçanit, Suli është shprehur që as e kanë menduar prishjen e stadiumit. Nëse ndodh, më parë ata do planifikojnë se ku do të ndërtohet stadiumi i ri.

“Që të jemi të qartë, deri tani që flasim, nuk kemi pasur asnjë ide për marrjen e një vendimi për prishjen e stadiumi të Kamzës. Dihet që Kamza nuk e vazhdon aktivitetin. Ne mund të gjejmë ambient tjetër për të ndërtuar stadium tjetër, me të gjithë parametrat që duhet. Gjithsesi, për të vajtur te kjo pjesë, së pari ka një faturë ekonomikë.

 

Duhet edhe një projekt, pastaj duhet bërë dëgjesë publike me qytetarët. Unë jam kryetar bashkie, nuk jam pronar. Sa i takon investimeve të mëdha që bëhen në territorin e Bashkisë Kamzë, do vendoset me dëgjesa publike, pa shkuar në Këshill Bashkiak. Kjo jo vetëm për stadiumin”, tha fillimisht Suli.

Në lidhje me mundësinë e rikonstruktimit të stadiumit aktual, kryebashkiaku shton: “Nëse do kemi mundësi, kur të gjendet prona dhe paratë, atëherë mund të flasim. Normal me një stadium me parametrat e duhur, pasi sot që flasim stadiumi nuk është se ka kushtet e domosdoshme për të bërë aktivitetet. Do merremi edhe me skuadrën”.

Suli thekson se nëse investohet në një stadium, atëherë sigurisht që do të ketë bashkëpunim me FSHF-në. “Jo vetëm do kërkojmë mbështetjen e Federatës, por edhe një ide, mbi parametrat, kushtet, nëse do të vendoset për një stadium tjetër. Ata kane specialistë që kanë ide më të qarta. Federata është në plan të parë, nëse vendosim zhvendosjen e këtij stadiumi nga qendra e Kamzës”, përfundon Suli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!