Në një intervistë për Abc News, mjeku Andi Koraqi foli për situatën e koronavirusit në vend. Ai u ndal mes të tjerash edhe tek testet serologjike që kanë filluar të aplikohen në laboratorin e QSUT.
Testi i serologjisë tregon antitrupat në imunitet, ajo që njihet ndryshe si “pasaportë imuniteti”. Mjeku tha se në Shqipëri përdoret një test që është përdorur edhe në vende të tjera dhe kanë dhënë rezultate të mira.
“Siç e thashë diagnoza e sëmundjeve infektive bazohet në dy grupe testesh, në ato që kapin shkaktarin e virusit dhe grupi i testeve të tjera ështe ato që zbulojnë gjurmët që lë virusi në organizëm. Testet serologjike janë ato që zbulojnë gjurmët. Ekzistojnë një mori testesh. Në Shqipëri përdoret një test që është përdorur nga më të parat. Ka evidenca që është test i mirë. Është përdorur në Kinë, në Itali, së funfmi në Spanjë. Ky test u ble”, u shpreh ai.
Të parët që iu nënshtruan testit serologjik janë bluzat e bardha. Koraqi theksoi se janë bërë 340 testime, ndërsa pozitiviteti ka dalë 11%. Kjo tregon se 11% e personelit që është testuar kanë rënë në kontakt me virusin.
LEXO EDHE: Kthimi në auditore, Koraqi zbulon si mund të bëhen provimet e studentëve
“Pacientët që kanë qenë të konfirmuar pozitiv, janë përdorur për validimin e testit. Ato që janë testuar janë 340, një gjë e tillë, personel mjekësor dhe tek ata ka dalë 11% pozitiviteti.
Kjo tregon se 11% e personelit që është testuar kanë rënë në kontakt me virusin. Është një shifër brenda një kampioni shumë të vogël. Personeli mjekësor ka edhe persona që e kanë ditur që e kanë kaluar”, tha Koraqi.
Sipas mjekut dallimi mes tij, i cili ka qenë i infektuar dhe këtij 11 përqindëshi është se ai ka kaluar sëmundjen dhe ata virusin. Kjo vërteton që 80% e kalojnë pa simptoma. /abcnews.al