Virozat e stinës ndikojnë në mbushjen e spitaleve, Koraqi: Vështirë të lehtësohen masat

schedule16:26 - 19 Shkurt, 2021

schedule 16:26 - 19 Shkurt, 2021

Nga Ema Shazivari

Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk përjashton shtrëngimin e masave anti-Covid. Eksperti i komitetit teknik, Andi Koraqi, thotë se pritet të bëhet një analizë për efektin e masave aktuale për marrjen e një vendimi. Megjithatë lehtësimi i tyre duket i vështirë.

“Çdo masë, lirim apo shtrëngim bëhet në varësi të indikatorëve dhe indikatorët sugjerojnë këto masa”, ndërsa shtoi se nëse do të ketë rritje të rasteve atëherë masat do të jenë më të shtrënguara.

 

Pavarësisht se të infektuarit me COVID 19 po mbushin spitalet si asnjëherë në vendin tonë, ekspertët thonë se virusi nuk është bërë më agresiv. Koraqi, thotë se shkak për shtimin e rasteve të rënda është edhe mbivendosja e virozave të traktit respirator.

“Kemi shtim të rasteve por jo agresivitet më të madh të virusit. Pra kjo është e pranuar nga të gjithë dhe si pasojë e shtimit të rasteve do të kemi më shumë sëmundshmëri, po ashtu edhe grupmosha më të mëdha me këtë prekshmëri të virusit”, tha Koraqi.

COVID 19, nuk po kursen as jetën e të rinjve së fundmi. Por për ekspertët ende nuk ka një shpjegim shkencor, duke e konsideruar një sjellje normale të virusit.

“Deri në këtë moment nuk është se ne e kemi konfirmuar, por as nuk e përjashtojmë dot praninë e mutacioneve të reja. Shtimi i rasteve do të reflektohet me sëmundëshmëri më të lartë, por edhe me grupmosha më të larta”, tha më tej Koraqi.

Sipas Koraqit, muaji maj dhe qershor pritet të sjellin një qetësim të situatës, por nëse zbatohen masat mund të ndodhë edhe më herët.

/abcnews.al/