River Plejti fitoi përballjen emocionuese ndaj Boka Juniorsit, duke marrë Superkupën e Argjentinës. Dy nga skuadrat më të forta të Amerikës së Jugut, zhvilluan një finale të ashpër.
Kështu përfundoi edhe një tjetër derbi, ndoshta më i madhi i botës. Nuk pati luftë tifozësh në Buenos Aires, ndërsa River Plejti mundi Boka Juniorsin dhe fitoi Superkupën e Argjentinës.
Superndeshja e luajtur në stadiumin “Malvinet e Argjentinës” në Mendoza, përfundoi 2-0 për bardhekuqtë, që jo vetëm arritën një triumf të madh, por edhe u hakmorrën për finalen e humbur përballë Bokës 40 vjet më parë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Marselo Gajardo ia doli me gola të shënuar nga një në secilën pjesë loje. Fillimisht, që në minutën e 17, Riveri fitoi penallti, të cilën e ktheu në gol Gonzalo Martinez.
Boka reagoi dhe pati mundësi disa herë të barazonte, por nuk ia doli, ndërsa në pjesën e dytë u ndëshkua përsëri. Ishte një kundërsulm i shpejtë që i dha mundësi Injacio Skokos të shënonte një gol vërtet shumë të bukur, me një prekje të vetme të topit.
Riveri është fituesi në fuqi i Kupës së Argjentinës, ndërsa Boka është skuadra kampione, ndonëse në përballje të tilla, renditjet dhe trofetë nuk kanë asnjë rëndësi.
Sfida mbetet një nga më të ndjekurat në Amerikën e Jugut dhe në Botë, ndonëse niveli i futbollit argjentinas ka rënë për shkak të largimit të shumicës së talenteve drejt Europës.
Tifozët e Riverit as nuk u kujtuan për këtë rënie niveli, kur kapiteni i tyre, Leonardo Ponsio ngriti në ajër trofeun e Superkupës./abcnews.al