ABC News, mëson të reja lidhur me shpërthimin aksidental që i ndodhi Gentian Hoxhës, në momentin që po montonte një minë me celular në dyqanin e tij. 34-vjeçari, dyshohet se lëndën shpërthyese e siguronte në qytetin e Fushë-Krujës, ndërsa ende nuk është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore.
Zbardhen detaje të reja nga grupi hetimor për personin e arrestuar që përgatiste mina me celularë në kryeqytet.
Gentian Hoxha, dyshohet se lëndën shpërthyese e siguronte në qytetin Fushë-Krujës. Gjithashtu edhe tregu kryesor për tregtimin e bomabave të cilat aktivizohen në distancë ishte po fushë-kruja, Durrësi dhe Kruja, pohojnë burime nga policia kriminale e Tiranës.
Në biznesin e tij të marrë me qira, 34-vjeçari, kishte përshtatur një dhomë të dytë për të punuar i qetë dhe për t’u kamufluar sa më mirë nga policia. Pikërisht në atë dhomë u gjet laptopi, një sasi tritoli, bashkë me fitilat zjarrëpërcjellës që përdoren për krijimin e minave me celularë.
Uniformat blu, sekuestruan në tavolinën e punës së Gentian Hoxhës edhe një mikroskop si edhe disa kapsolla që përdoren për ndezjen e në distancë nëpërmjet telefonit të lëndës shpërthyese.
Provat materiale të sekuesetrua në biznesin e 34-vjeçarit janë dërguar në laboratin e policisë shkencore për të vërtëtuar nëse mekanizmat shpërthyese që prodhonte Gentiani ishin përdorur apo jo në ndonjë ngjarje kriminale, e cila ka mbetur e pazbardhur. Pavarësisht se e kaloi gjendjen kritike për jetën, oficerët e policisë gjyqësore ende nuk kanë mundur ta marrin në pyetje Hoxhën. Personi që mbeti i palgosur pasi ishte duke montuar një mine me celularë në dyqinin e tij në rrugën “Pjetër Budi”, nuk mund të flasë dhe të dëgjojë sipas mjekëve, pasi ka shumë dëmtime në kokë e gjymtyrë. Në tregun zi, çmimet për bombat me celularë shiten nga 700 euro deri në 1500 euro. /abcnews.al