Portofoli plotë me para, policia u ngre pusi dhe kap 2 shpërndarës droge në Tiranë

schedule12:48 - 7 Maj, 2020

schedule 12:48 - 7 Maj, 2020

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona për shpërndarje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në momentin e arrestimit atyre i janë kapur disa doza lënde narkotike si edhe 404 mijë lekë të reja në portofol.

Blutë e Tiranës bëjnë me dije se shpërndarësit janë vëzhguar prej disa kohësh për të zbuluar kontaktet e tyre.

“Pas identifikimit dhe lokalizimit të këtyre shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 i kanë mbajtur nën vëzhgim për të bërë të mundur kapjen e tyre në flagrancë”, njofton policia.

Njoftimi i plotë

Finalizohet operacioni “Combination”, për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Vihen në pranga dy posedues që shpërndanin lëndë narkotike.

Procedohen penalisht edhe 2 shtetas që blinin lëndën narkotike.

Sekuestrohen doza me cannabis sativa, 404.000 lekë të reja dhe 4 telefona celular.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, pas informacioneve të marra në rrugë operative për dy persona që merreshin me shpërndarje të lëndëve narkotike në disa zona të Tiranës, organizuan punën për identifikimin dhe lokalizimin e këtyre shtetasve.

Pas identifikimit dhe lokalizimit të këtyre shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 i kanë mbajtur nën vëzhgim për të bërë të mundur kapjen e tyre në flagrancë.

Pas vëzhgimit të kryer, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Combination”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

H. H., 29 vjeç dhe A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit:

A. Xh., 21 vjeç dhe D. V., 23 vjeç, banues në Tiranë;

Arrestimi i shtetasve H. H dhe A. A. u bë pasi, në bashkëpunim më njëri-tjetrin, merreshim me shpërndarjen e lëndës narkotike cannabis sativa.

Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesa u gjetën dhe u sekuestruan disa doza me lëndë narkotike, një shumë prej 404.000 lekësh të reja dhe 4 telefona celular të markave të ndryshme.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve H. H. dhe A. A., si dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasve D. V. dhe A. Xh.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!