Në një intervistë të dhënë për gazetarin Enkel Demi në programin “Abc-ja e mëngjesit”, kryeministri Rama refuzoi që të tregonte se kush po e drejton Komitetin e ekspertëve për koronavirusin.
Gjatë programit u diskutuan një sërë çështjesh sociale, ekonomike dhe politike në lidhje me mënyrën sesi po menaxhohet situata e koronavirusit në vendin tonë.
Ditën e djeshme Rama nuk dha emra anëtarësh, apo emrin e drejtuesit të Komitetit, por në një video-konferencë ta mbajtur ditën e sotme me anëtarët e komitetit të ekspertëve ai tregoi se kush e drejton këtë komitet.
Si duket bëhet fjalë për zv/ministren e Shëndetësisë Mira Rakacollin.
Kryeministri u shpreh: Doktoreshë Mira ke diçka për të thënë se na çmendën se kush është kryetari e komitetit thoshin, e donin burrë por ne me gratë e bëjmë punën.
Ndërsa Rakacolli u shpreh se situata është në kontroll ndërsa shtoi se strategjia e hapjes do ndiqet në mënyrë të kontrolluar me vigjilencë të lartë.
Rakacolli: Siç u paraqit edhe nga kolegë të komitetit situata është e kontrolluar, siç ju kemi thënë kur ju kemi propozuar që strategjia e hapjes të jetë e kontrolluar, por gjithmonë duke fuqizuar survejancën jo vetëm në zonat e kuqe por edhe në zonat e gjelbra dhe kontrollet nga institucionet përkatëse. Gjithmonë duhet mbajtur parasysh si do jetë vijimësia e situatës për masat e reja. /abcnews.al/