Rusia do të dëbojë shumë shpejt diplomatë të Mbretërisë së Bashkuara. Kjo është bërë e ditur nga ministri i jashtëm i Moskës në një kundërpërgjigje për dëbimin e 23 diplomatëve të Kremlinit nga Britania. Sergej Lavrov tha për mediat vendase se largimet nga territori rus do të ndodhin. Dëbimet dhe sanksionet Londrës erdhën pas helmimit të ish agjentit rus dhe të bijës me agjent nervor në territorin Britanik. Nga ana e saj, Moska mohon çdo përgjegjësi. Ministri i jashtëm i cilëson akuzat e kryeministres Theresa May si “çmenduri dhe brutale”. Lavrov gjithashtu tha se qasja e Britanisë së Madhe për këtë çështje është ndikuar nga problemet e qeverisë për largimin nga BE.
Ndërkohë, Franca ka ndryshuar qëndrim lidhur me vrasjen e mbetur në tentativë të Sergej dhe Yulia Skripal në qytetin Salisburi. Presidenti Emmanuel Macron ka përkrahur qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar, që bën përgjegjëse Moskën për sulmin. Për këtë ka ndikuar ndjeshëm një telefonatë mes presidentit francez dhe kryeministres May që e informoi për hetimet dhe dëbimin e 23 diplomatëve rusë. Më herët zëdhënësi i Macron i cilësoi të pamatura masat ndëshkuese të Britanisë: “Kur do të ekzistojnë element prove, atëherë do të jetë koha për të marrë vendime”, është shprehur zyrtari francez duke theksuar se pjesa tjetër është vetëm “fantazi politike”.
Në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së OKB-së të tensionuar, të kërkuar nga vetë Britania e Madhe, ambasadori Jonathan Allen, e ka përshkruar ngjarjen si “shkelje e artikullit 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara” dhe si “një sulm në gadishullin anglez”. Zyrtari i Londrës I kërkoi më pas Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike “OPAC”, që të verifikojë në mënyrë të pavarur përfshirjen e Moskës.
Përgjigja e Rusisë ishte e ashpër. “Është totalisht e papranueshme të lëshosh akuza të pajustifikuara si ato të dërguara në një letër nga Theresa May për sekretarin e përgjithshëm”, tha ambasadori i Moskës në OKB, Vassily Nebenzia në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. “Na është dhënë një ultimatum për të pranuar që kemi kryer një krim. Ne nuk flasim me gjuhën e ultimatumeve, dhe nuk lejojmë që të na flitet me këtë gjuhë”, shtoi ai duke kërkuar prova materiale për akuzat e Londrës. “Rusia nuk është e përfshirë në këtë incident. Nuk kemi frike dhe nuk kemi gjë për të fshehur”, nënvizoi i dërguari i Moskës.
“Shtetet e Bashkuara solidarizohen me Londrën dhe mbështesin gjykimin për fajësinë e Rusisë dhe vendimin për dëbimin e diplomatëve ruse si përgjigje të drejtë”. Ky është qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë, që nënvizon se veprimi I fundit bën pjesë në kuadrin e sjelljes në të cilën Rusia përçmon rendin ndërkombëtar, minon sovranitetin dhe sigurinë e vendeve të tjera dhe tenton të shkatërrojë dhe diskreditojë institucionet dhe procesin demokratik perëndimor.
Ndërkohë, të mërkurën kryeministrja Britanike urdhëroi dëbimin e 23 zyrtarëve të Moskës si dhe vendosi sanksione kundër biznesmenëve dhe zyrtarëve rusë. Ky vendim erdhi pas helmimit të ish agjentit rus dhe të bijës. Mediat raportojnë se Sergej dhe Yulia Skripal janë në gjendje të rëndë por nuk rrezikojnë jetën./abcnews.al