U zbulua se paguhej nga UKT, Nano mbron Mira Kazhanin: Po e sulmoni kot

schedule21:06 - 5 Maj, 2020

schedule 21:06 - 5 Maj, 2020

Mustafa Nano ka marë publikisht në mbrojtje Mira Kazhanin, e cila ditët e fundit është vënë në qendër të sulmeve për shkak të postit që mbante si këshilltare mediatike pranë UKT-së në Tiranë.

Kazhani dha dorëheqjen nga posti në fjalë, ndërsa Nano në monologun e tij të kësaj të marte në “Provokacija “, shprehet se Kazhani ka bërë thjesht detyrën që i është ofruar.

Sipas tij, ajo detyrë mund të ushtrohet vetëm nga gazetarë, ndërsa thekson se po t’ja kishin ofruar edhe ai do e pranonte po të kishte nevojë.

Nano nënvizon se problemi nuk është tek Kazhani, por sipas tij, ky post që është tek dhjetëra ndërmarrje të tilla në vend nuk duhet të ekzistojë.

“Përsëris unë do e kisha pranuar, por në të njëjtën kohë nuk mund të rri pa denoncuar një situatë të caktuar. Poste të tilla nuk kanë arsye të ekzistojnë. Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimesh, apo ndërmarrje të tilla, nuk kanë arsye të kenë një këshilltare mediatikë. Më ka bërë përshtypje, ata që e kanë sulmuar Kazhanin dhe Bieta Sulon nuk e kanë këtë problem”, shprehet mes të tjerash Nano.

Monologu i plotë nga Mustafa Nano:

Monologun e sotëm dua t’ja dedikoj një personi, një vajzë, një gazetareje, të cilën dua ta marr në mbrojtje publikisht. Është fjala për Mira Kazhanin. Unë e mora vesh këto ditë, Mira paska qenë këshilltare mediatike te UKT, ka qenë bashkë me Bieta Sulon. Për këtë shkak ato janë bërë tabelë qitje, janë bërë objekt sulmi nga ana e shumë njerëzve në rrjetet sociale. Është pak për t’u çuditur, unë e njoh Mira Kazhanin si gazetare prej 20 vitesh, nuk është hera që bëhet objekt i këtyre sulmeve dhe histerive të organizuar në rrjetet sociale.

Hera e parë ka qenë masakrimi që asaj iu bë në rrethanën kur ajo bëri një aksident pa fajin e saj, kështu doli më pas dhe pa ndonjë dëm të madh. Për fatin e mirë djali që u aksidentua është mirë sot.

Por më ka mbetur në mendje që në këtë rrethanë ajo u sulmua, dhe ishte një rrethanë që secili prej nesh mund të ishte në vend të saj. Do kishte nevojë për pak simpati humane, ajo këtë nuk e mori. Më bëri përshtypje që pjesë e atyre që sulmuan ishin edhe kolegë të saj, gazetarë.

Tani po kthehem te çështja konkrete. Ajo ka qenë këshilltare mediatike në ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve, është një post që ekziston, po të ma ofronin mua unë do e pranoja po të kisha nevojë. Është një post që ka lidhje me gazetarë dhe vetëm një gazetar mund ta ushtrojë atë post. Në këtë kuptim fakti që Mira Kazhani ka bërë atë detyrë, është një gjë normale. Përveç kësaj ai post nuk është shpikur sot për Mira Kazhanin, ka 20 vjet që ekziston, por ekziston në dhjetëra ndërmarrje, sh.a në Shqipëri.

Përsëris unë do e kisha pranuar, por në të njëjtën kohë nuk mund të rri pa denoncuar një situatë të caktuar. Poste të tilla nuk kanë arsye të ekzistojnë. Ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimesh, apo ndërmarrje të tilla, nuk kanë arsye të kenë një këshilltare mediatikë. Më ka bërë përshtypje, ata që e kanë sulmuar Kazhanin dhe Bieta Sulon nuk e kanë këtë problem.

Problemi i tyre nuk është ky sepse në asnjë rresht të reagimeve që kanë bërë, nuk është shkruar denoncimi që ata i bëjnë këtij fakti. Nuk ka asnjë apel drejtuar mazhorancës, qeverisë që ta çbëjë këtë praktikë. Kjo do të thotë se atyre nuk ju intereson dukuria e shëmtuar, atyre ju intereson sulmi që duhet bënin ndaj Mira Kazhanit dhe kjo ka qenë një ndër arsyet që më ka bërë mua ta marr në mbrojtje.

Ata që e sulmojnë e kanë pasur të gatshme alibinë me demek parimore, po sulmojmë Mira Kazhanin dhe nuk po sulmojmë me dhjetëra e dhjetëra të tjerë, madje edhe burra, dhe në kuptim del në evidencë që sulmi mund të jetë i natyrë maskiliste. Ata thonë që po sulojmë Mira Kazhanin sepse ka edhe një portal.

Portali i Mira Kazhanit është një nga qindra portale që ekzistojnë në Shqipëri, dhe duke përjashtuar 2-3 portale që janë të fuqishme që do të thotë se funksionojnë dhe pagesat i bëjnë në bazë të parave që marrin nga reklamat. Janë 2-3 portale, të gjithë të tjerët që janë qindra përpëliten për të gjetur financime. Kështu që portali Tiranapost, nuk është Ëashingtonpost, nuk është The Guardian, është një nga qindra portale që ekzistojnë në Shqipëri. Pra arsyetimi me demek parimor që këta njerëz kanë organizuar sulmin kanë qenë të prekur nga fakti se Kazhani ka pasur edhe portal nuk qendrojnë.

Ai është një sulm i ndyrë që u është bërë këtyre dy vajzave. Por sulme të tilla janë bërë rutinore, nuk është ndonjë gjë për t’u shqetësuar, por unë ndjeva si një detyrë, kjo ngjarje mu imponua se kam vënë re që Kazhani sulmohet për herë të dytë.

Kjo më bëri që të ngrija zërin sot. Është një dukuri për tu denoncuar nga të gjithë ata që kanë respet për njerëzit që bëjnë punën e gazetarit. Mira Kazhani bën pjesë te kjo kategori, e cila qëndrimet e veta publike që mban i ka të njëjta si sot, si para 20 vjetësh, si pas 20 vjetësh dhe unë jam i sigurt se Mira Kazhani do të jetë kjo që është. Kjo më bëri që ti dedikoja monologun tim Mira Kazhanit. Shpresoj që të mirëkuptohem edhe nga ju!

/abcnews.al