INSTAT: Elbasanllinjtë më “punëtorët”,  durrsakët më “dembelët”

schedule13:28 - 14 Mars, 2018

schedule 13:28 - 14 Mars, 2018

Shqiptarët pavarësisht ankesave objektive apo subjektive, nuk kanë gjithnjë motivimin për të punuar. Instituti i Statistikave ka përllogaritur dëshirën për punë, të qytetarëve në qytete të ndryshme të vendit. Le të shohim se cilët janë qytetet më punëtore e dembelë në vend.

58 kilometra janë larg njëri – tjetrit, por durrësakët dhe elbasanllinjtë i përkasin skajeve të kundërta kur bëhet fjala për punë.

Janë përllogaritjet e Institutit të statistikave që Elbasanin e rendit të parin ndër qarqet që kanë interes për të punuar dhe Durrësin të fundit.

Në qarkun e qytetit bregdetar vetëm 52.9 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç kërkon të punojë. Ky është treguesi më i ulët në rang kombëtar. Ndërsa në qarkun e Elbasanit interesi për të punuar vërehet të jetë me i lartë në krahasim me pjesën tjetër të vendit. Rreth 66 % e popullsisë mbi 15 vjeç në këtë qark kërkon të punojë, gati 7 pikë përqindje me i lartë se treguesi mesatar i pjesëmarrjes në forcat e punës në rang kombëtar.

Edhe qarqet e Fierit, të Vlorës, Beratit dhe Shkodrës shfaqen të gatshëm për të punuar  krahasuar me pjesën tjetër të vendit. Ndërsa dembelizmit të durrësakëve i bashkohen edhe banorët e Tiranës, Kukësit e  Lezhës.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë gjithashtu se në  tremujorin e fundit  të vitit të kaluar, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri ishte 13,4 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e papunësisë si për meshkujt dhe për femrat ka rënë me 0,8 pikë përqindje. /abcnews.al