Drejtoresha e re e CIA-s, figura e një gruaje të përfshirë në tortura

schedule18:30 - 13 Mars, 2018

schedule 18:30 - 13 Mars, 2018

Gina Haspel është drejtorja e re e CIA-s, e para grua në historinë amerikane, që mban një post të tillë. Mediat amerikane e shohin si një figurë kontroverse, të përfshirë në tortura.

Për herë të parë në histori, një grua do të mbajë postin e drejtoreshës së CIA-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Gina Cheri Haspel, e lindur në 1 Tetor 1956, është pjesë e CIA-s që nga viti 1985. Zyrtare e shëbimeve sekrete amerikane, Haspel u emërua në Shkurt të 2017-s zëvendësdrejtoreshë e CIA-s.

Në atë rast, ajo ishte e dyta që mbante një post të tillë, pasi e para ishte Avril Haines e emëruar nga ish-presidenti Obama.
Figura e Haspel është kontroverse dhe emërimi i saj pritet të ngjallë shumë reagime pasi janë shumë çështje të lëna pezull për sa i përket marrëdhënieve të qeverisë amerikane dhe agjencisë së shërbimit të inteligjencës.

Haspel në fakt ka qenë e përfshirë në disa raste torturash që kanë ndodhur në burgjet amerikane në vitin 2002. Në atë kohë, ajo kishte detyrën për të monitoruar një qendër në Tajlandë, ku mbaheshin personat e dyshuar për terrorizëm.

Kur u bënë publike mënyrat e marrjes në pyetje të praktikuara nga CIA, agjencia u përfshi në polemika të shumta së bashku me Gina Haspel, e cila akuzohej se kishte miratuar këto mënyra pa u menduar fare.

Emërimi i Gina Haspel, një figurë që përputhet me Trump, mund të favorizojë një pajtim institucional mes shtëpisë së bardhë dhe CIA, duke pasur parasysh përplasjet e vitit të fundit për shkak të Russiagate./abcnews.al