Ndryshime në administratën Trump/Shkarkohet Sekretari i Shtetit Tillerson

schedule14:19 - 13 Mars, 2018

schedule 14:19 - 13 Mars, 2018

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar Shefin e Departamentit të Shtetit Reks Tillerson. Në vend të tij emëroi drejtorin e CIA-s, Majk Pompeo. Trump e arsyetoi vendimin e tij duke thënë se kishte mendime të ndryshme me Tillerson.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar sekretarin e shtetit, Reks Tillerson. Kjo është konfirmuar nga vetë kreu I Shtëpisë së Bardhë me anë të një mesazhi në tuitër ku tregon dhe se kush do të jetë në krye të diplomacisë së jashtëme të Shteteve të Bashkuara. “Mike Pompeo, Drejtori I CIA-s, do të emërohet Sekretar Shteti. Ai do të zhvillojë një punë fantastike”, shkruan Trump duke falenderuar Tillerson për punën e kryer.

Ndërsa në një prononcim të shkurtër për media përpara se të nisej për në Kaliforni, ai tha se kishte shumë mendime të kundërta me Tillerson si për shembull marrëveshja bërthamore me Iranin. “Ne nuk po mendonim njësoj. Ndërsa me Pompeon kemi të njëjtin proces të menduari”, tha Trump. Më tej njoftoi se nuk është konsultuar me sekretarin e shtetit për Korenë e Veriut dhe se e ka marrë vetë vendimin për tu takuar me liderin Kim Jong-un.

Tashmë është e qartë se shkarkimi i Tillerson lidhet me kundërshtimet e forta që ka pasur kohëve të fundit mes tyre. Më konkretisht krisja mes Trump dhe Tillerson ka nisur që në momentet kur, ish-sekretari i Shtetit tashmë, nuk mohoi të ketë cilësuar presidentin amerikan si budalla. Në atë kohë kreu i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj duke e sfiduar atë me një test inteligjence. Burime për CNN afër presidentit amerikan thonë se ishte e qartë që Tillerson nuk e mbështeste më Trump-in dhe se dëshironte që të zhvillonte politikat e jashtëme të Uashingtonit në mënyrën e tij pa u konsultuar me kreun e SHBA. “Trump nuk e ndjente se Tillerson e mbështeste atë”, thotë burimi I CNN.

Një tjetër detaj lidhur me këtë zhvillim është se shkarkimi i Tillerson është bërë që të premten, ditë në të cilën sekretari i shtetit anulloi një vizitë në një shtet të Afrikës me justifikimin se nuk ndihej mirë. Sipas raportimeve, Tillerson nuk dëshironte që të largohej nga drejtimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ndërkohë Trump njoftoi se Gina Haspel do të marrë drejtimin e CIA-s. Ajo është femra e parë në historinë e SHBA që vendoset në krye të Inteligjencës Amerikane. Më përpara Haspel ushtroi detyrën e zëvendësdretoreshës së CIA-s.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!