Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është përgjigjur opozitës në lidhje me tenderat për paketën ekonomike në mbështetje të qytetarëve ku ka theksuar se të të gjitha kontratat tona nuk janë sekrete, se po të ishin sekrete nuk do të ishin publike.
Në fjalën e saj Spiropali gjithashtu ka komentuar dhe menaxhimin e situatës nga koronavirusi, duke theksuar se Basha ka adoptuar stilin e të folurit të Murrizit, por këtij të fundit i shkon se nuk ka pasur ndonjëherë në dorë tendera e punë.
Sipas ministres së Shtetit Basha ka dështuar në çdo punë që ka bërë.
“Është interesante të shohësh se si Basha ka adoptuar stilin e të folurit të Murrizit, por këtij të fundit i shkon se nuk ka pasur ndonjëherë në dorë tendera e punë dhe nuk është i provuar në këtë lëmi, është i pastër dhe mund të flasë këtu por Basha ka dështuar në çdo punë që ka bërë, e ka çuar për dreq sepse kur ka vajtur në gjyq nuk është përgjigjur i është shmangur përgjigjes me raport mjekësor.
Thonë që maskat janë blerë 6.5 euro në fakt janë blerë 4.14 euro, thonë maskat kanë skaduar ndërkohë skadojnë në 2023, e të tjera habira që Basha e grupi rreth tij mund t’i artikulojë. Për të mos folur pastaj për atë partinë tjetër opozitare e cila nxjerr aty një mjek-politikanë apo politikanë-mjek që i bën çorbë të gjitha. Është proverbiale, në kohën e tyre deti ishte kos dhe liqeni pilaf dhe me nga një lugë në brez të gjithë dhe i turreshin. Dhe duket sikur po të ishin ata në krye të kësaj pune në këto kohë patjetër që do t’i bënin ashtu siç i bëjnë, janë ëndrrat e tyre të fshehta, ato që thonë janë një manual për të kuptuar se si do të vidhnin, siç kanë vjedhur”, tha Spiropali./abcnews.al