Mario Balotelli mbetet një personazh interesant. Prapësitë dhe çmenduritë e tij në karrierë nuk numërohen, por lojtari italian po shkon drejt të 30-ve dhe tani ndihet më i pjekur se dikur. Sulmuesi ka zbuluar një prapaskenë merkato në një bisedë në “Instagram” me blogerin ’Er Faina’. Ishte janari i vitit 2013 dhe sulmuesi i Brescias la Manchester City për t’u kthyer në Serie A.
“Isha shumë afër transferimit te Juventusi pas largimit nga Manchester City. Isha shumë afër akordit final, por Galliani u fut në mes. Kur më treguan që po më kërkonte Milani, klub me të cilin jam tifoz, nuk u mora më me Juventusin. Milanin e kam gjithmonë në zemër, ashtu si edhe Interin. Juventusi ishte një zgjedhje e mirë, do të më kishte ecur duke parë trofetë që kanë fituar.
Nuk është se nuk e mendova diçka të tillë, por në fund zgjodha me zemër dhe u transferova te Milani. E ardhmja si trajner? Kam një karakter shumë specifik, nuk e di si do të reagoja nëse ndonjë djalosh do të më përgjigjej keq. Vrazhdësia më acaron në nivele stratosferike. E shoh më shumë veten si trajner moshash, do të mësoja më mirë fëmijët se të rriturit”, përfundon Super Mario. /abcnews.al