Numëron 86 ndeshje të zhvilluara me kombëtaren e Uruguajit dhe prej janarit të këtij viti është pjesë e River Plate. Alvaro Pereira kaloi te Porto vitet më të bukura të karrierës. 34-vjeçari qëndroi tre sezone te skuadra portugeze, duke shkëlqyer në krahun e majtë të mbrojtjes. Lojtari u transferua tek Interi në gushtin e vitit 2012, veprim të cilin e konsideron si më të keqin që ka marrë në karrierë.
Pereira qëndroi dy sezone në Milanon zikaltër. Vitin e parë u aktivizua në 40 ndeshje dhe shënoi një gol. I dyti ishte negativ, ai zhvilloi vetëm 7 ndeshje në fazën e parë. Janari i vitit 2014 solli largimin nga zikaltrit dhe kalimin në Brazil te Sao Paulo. “Doja të qëndroja te Porto, mund të largohesha vetëm falë një oferte shumë të mirë”, nis prononcimin e tij Pereira për Record.
“Doja të fitoja me Porton, niveli i skuadrës ishte i lartë, por duheshin përforcime për të tentuar fitimin e Champions League. Kuptova që klubi mjaftohej me suksesin në Portugali dhe politika e tyre u bazua te shitja e lojtarëve më të mirë. Në atë moment preferova të largohem drejt Interit. Megjithatë, ai ishte gabimi më i madh i karrierës time”, deklaron Pereira. /abcnews.al