Fondi i UEFA-s, objektivi i Teutës dhe tifozët: Flet Artan Shyti

schedule19:19 - 28 Prill, 2020

schedule 19:19 - 28 Prill, 2020

Drejtori sportiv i Teutës, Artan Shyti, ka folur për disa tema sot në emisionin Fan Zone në Supersport. Shyti u emërua këtë sezon si drejtor sportiv i Teutës, gjatë periudhës kur Edi Martini mori timonin e skuadrës. Mes të tjerash, drejtori i “Djemve të Detit” tha:

TEUTA – “Lojtarët kanë marrë një program stërvitor, i cili kontrollohet nga klubi. Kur ka qenë e mundur, janë munduar të stërviten jashtë, sigurisht duke mbajtur distancën. Leja për stërvitjen duhet të jepet më shpejt, pastaj të shohim”.

FAVORIZMI – “Mendoj që me këtë ndërprerje, të gjithë do e nisin nga 0. Para ndërprerjes, Tirana dhe disa ekipe të tjera ishin në formë, por të shohim si do jenë pas kësaj situate. Mendoj se duhet të fillojmë, që të japim një mesazh”.

OBJEKTIVI – “Në Kupë jemi pretendentë, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. Do jetë e vështirë, duke i parë të gjithë”.

TIFOZËT – “Unë nuk besoj se ka ndonjë ndryshim mes tifozerive, te Teutës dhe të ekipeve të tjera. Tifozët shqiptarë kanë një problem që duan gjithmonë fitoret, në të kundërt nuk shkojnë në stadium, ndryshe nga ndeshjet në botë. Kur ekipi ka qenë mirë, tifozët janë aty, por nuk mund të jemi gjithmonë mirë”.

FONDI I UEFA – “Një pjesë e këtij fondi duhet të përdoret për emergjencën, në mënyrë që të ndihmohen klubet për situatën. Është një ndihmë në kohën e duhur, sepse duhen testime çdo javë, pasi janë shumë ekipe që do luajnë. Është një ndihmë që duhet të jepet për klubet, për të përballuar situatën, me masa mbrojtëse, dezinfektues”, u shpreh Shyti./abcnews.al