Qeveria shkurton fondet për koncesionarët, rishikon buxhetin, 7 miliardë lekë për Covid-in

schedule17:12 - 28 Prill, 2020

schedule 17:12 - 28 Prill, 2020

Qeveria do të reduktojë shpenzimet në buxhet, përfshirë investimet e brendshme, shpenzimet korrente, por edhe disa kontrata të partneritetit publik privat, për të përballuar kështu pasojat e epidemisë.

Një fond prej 7 miliardë lekësh do të rishpërndahet në buxhetin e këtij viti, duke u orientuar tek paketa kundër Covid-19.

Nga kjo shpatë shkurtimesh, do të preken dhe 4 kontrata koncesionare, të cilat do të marrin më pak para se sa ishte parashikuar për këtë vit.

Në marrëveshje me kompanitë koncesionare, kontrata për skadimet në dogana do të marrë 700 milionë lekë më pak. Koncesionari që po ndërton Rrugën e Arbrit këtë vit do të marrë 1 miliardë lekë më pak se sa programi i këtij viti, ndërsa do të preken dhe dy koncesionarët e shumë debatuar të inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit. Kjo kontratë do të marrë 800 milionë lekë më pak.

1 miliardë lekë më pak financim do të marrë edhe projekti i ndërtimit të shkollave në Tiranë.

Por kjo nuk do të jetë ndërhyrja e fundit në buxhet për shkak të koronavirusit.

“Jemi duke përgatitur për muajin maj, për një rishikim të gjithë zërave të buxhetit dhe nëse do të jetë e nevojshme në muajin qershor do të prezantojmë një akt normativ që parashikon edhe hapjen e bizneseve”, tha ministrja e financave Anila Denaj.

Komisioni i Ligjeve miratoi këto ndryshime në buxhetin e 2020, të cilat do të finalizohen me votë në seancën plenare të së enjtes.

Koncesionet qe ju shkurtohet financimi

Ndërtimi i shkollave në Tiranë-1 mld/lekë

Rruga e Arbrit-1mld/lekë

Inceneratorët Elbasan&Fier-800 mln/lekë

Kontrata e skanimit-700 mln/lekë