Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vizitoi disa familje në Lezhë që janë përjashtuar nga ndihma ekonomike. Kreu demokrat u tha se do t’i kërkojnë kryeministrit Edi Rama në interpelancën e 15 Marsit, që të bëjë transparencën e pikëve që ka nxjerrë jashtë skemës së ndihmës mbi 20 mijë familje të varfra.
Rasti i Ardian Danit, është ai i babait, që pas vdekjes së bashkëshortes, rrit i vetëm 3 fëmijë të mitur. Pas heqjes së ndihmës ekonomike lypja në rrugë dhe shitja e gjakut është e vetmja mënyrë mbijetese për Ardianin. Historinë e sjell Partia Demokratike pas vizitës së kreut të saj, Lulzim Basha në Lezhë.
Ardian Dani: “E kam bërë mbrëmë një copë byrek, rafti ja ku është bosh. Tek Kryqi i Kuq kam dhënë gjak. Për çfarë? Vetëm për të mbajtur fëmijët me një pako makarona. Frigoriferi nuk punon. Urdhëro. Gjak trupi po jap, vetëm me rrit tre jetimë”.
Agentina Bacaj është kryefamiljare, nënë e tre fëmijëve, që jeton në një dhomë me qira pa ndihmë ekonomike sepse vajza e madhe e saj kishte bërë praktikë dy muaj në një vend pune.
Agentina: “Kam katër muaj pa paguar qera. Më japin bukë për sevap. Më mirë më shku me u mbyt me tre kalamaj”.
Lulzim Basha: “Jo, jo. Kemi ardhur për të thënë që jemi në krahun tënd e të fëmijëve të tu. E rëndë është situata, por vetëm nuk të lëmë”.
Gjendja është e njëjtë edhe në disa familje të tjera në Lezhë sipas materialit filmik të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike.
Lulzim Basha: “Ne kemi ardhur për të qarë hallin me ju dhe për të ngritur zërin për ju. Se opozita vetëm fjalën ka. Do ta ngremë zërin për ju. Do të tregojmë të vërtetën tuaj jo gënjeshtrat që ju thotë Edi Rama. Do t’i themi se u ke hequr bukën njerëzve më të pamundur, më në nevojë dhe të luftojmë t’ju kthejmë ndihmën ekonomike.”
Në datën 15 Mars, opozita ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama, i cili sipas demokratëve nuk ka prioritet uljen e varfërisë në vend. Kryetari i Partisë Demokratike u premtoi se në parlament opozita do të tregojë të vërtetat e baballarëve dhe nënave të lezhës që, pas heqjes së ndihmës ekonomike, janë detyruar të shesin gjak apo të lypin për të ushqyer fëmijët./abcnews.al