Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkon dënimin me 15 vite burg për Domart Konjarin, i akuzuar në vendin tonë për “falsifikimdokumentash dhe korrupsion”.
Njëkohësisht Konjari kërkohet edhe nga drejtësia e Francës, ku po hetohet për, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”. Ai është në arrati prej më shumë se 4 vitesh dhe është hetuar e gjykuar në mungesë nga prokuroria shqiptare.
Konjari u arrestua në nëntor të 2015, në pikën kufitare të Kapshticës me pasaporte të falsifikuar. Por ai u lirua 5 muaj më vonë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për mangësi në dokumentacion. Togat e zeza i ndryshuan masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”. Asokohe reagoi ashpër ndaj drejtësisë shqiptare ambasada franceze, në Tirane, pasi ky shtetas kishte llogari te hapura edhe me drejtesinë në Francë.
Kjo e detyroi ministrin e drejtësisë së kohës Ylli Manjani që të kërkonte ndjesë për vendimin e gjykatës së apelit. Prokuroria atë kohë i kishte bërë rekurs vendimit te apelit, por gjykata e lartë e rrëzoi duke i dhënë të drejtë shkalles se dyte të Krimeve të Rënda.
Sipas prokurorisë, Domart Konjari bashkëpunonte me francezë, spanjollë dhe marokenë në trafikun e kokainës.
Domart Konjari akuzohet për 7 episode trafiku në shtetin francez përgjatë viteve 2011-2013. Por prokuroria ka dyshime ende të pafaktuara që ai mund të ketë kryer trafik droge edhe pas këtyre viteve.
Në seancën e radhës pritet që avokati Vladimir Meçe të japë argumentet e mbrojtjes dhe më pas Gjykata e Posaçme do të vendose për dënimin. /abcnews.al/