Suksesi i Tiranës i kushtohet qytetarëve të saj thote kryetari i Bashkise së Tiranës Erion Veliaj. Kryebashkiaku ishte në forumin vjetor të arkitekteve dhe urbanistëve gjermanë ku kryeqyteti shqiptar u përzgjodh si qytet model i zhvillimit.
Tirana është përzgjedhur si qyteti model i zhvillimit në Forumin vjetor të arkitektëve dhe urbanistëve gjermanë organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe qyteti i Mynihut.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj prezantoi projektet strategjike për të ardhmen ne forumin vjetor për Qytetet dhe Ardhmërinë.
“Jam shumë krenar për Tiranën! Jemi përzgjedhur si një qytet model, kësaj here në forumin vjetor të arkitekturës gjermane organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban të Bavarisë dhe nga qyteti i Mynihut. Jam shumë krenar sepse jo vetëm Bashkia ka bërë punën që duhet të bëjë, por një pjesë e madhe e sukseseve tona i kushtohet qytetarëve të Tiranës. Janë ata që kanë inkurajuar ditët pa makina, që po kthejnë zonat pedonale, që po mbjellin pemë, që po e mbajnë pastër qytetin. Historia e vërtetë e suksesit të Tiranës është se çdo qytetar e ndjen që është pjesë e familjes së Tiranës dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punëve”.
Bashkia e Tiranës sipas kryetarit Veliaj edhe këtë vit ka planifikuar një sërë investimesh të rëndësishme, si ndërtimi i shkollave të reja, transformimi i Piramidës dhe i mjaft zonave të reja të qytetit, të cilat gjatë këtyre viteve kanë njohur zhvillim, por jo urbanizim.
“Edhe këtë vit do të vazhdojmë të nxisim shumë prej projekteve që tashmë i kemi nisur, siç janë shkollat e reja, Piramida, ndërtesa të tjera me funksion publik, më shumë fokus në zonat e reja të Tiranës, si zona e Kasharit, zona e Unazës së Re, zona e Freskut pranë Dajtit, apo zona e Selitës. Kthehemi të inkurajuar nga fakti se Tirana po merr vlerësime, që në një kohë të shkurtër ka bërë një kapërcim gjigand, për të vazhduar projektet që kemi nisur”./abcnews.al