Në Itali vijojnë ende negociata në kërkim të numrave të duhur për krijimin e qeverisë së re. Mateo Salvini lideri i Legës pjesë e koalicionit të qendrës së djathtë, u shpreh se mungesa e një qeverie do të rikthente italianët në kutitë e votimit.
Matteo Salvini, lideri i Legës në Itali pasi u takua me deputetët e rinj të partisë së tij foli dhe për qeverinë e ardhshme në vend. Ai u shpreh se ekszekutivi i ri duhet krijuar sa më shpejt ose në të kundërt italianët duhet t’u rikthehn kutive të votimit. Duke theksuar se koalicioni i qendrës së djathtë është më i votuari në vend, Salvini komentoi largimin e Renzit nga partia demokratike duke thënë se pshpresonte që ish lideri i demokratëve të ishte i gatshëm për të ndihmuar vendin.
Salvini tha se në demokraci ai që merr më shumë vota ka nderin për të bërë një zgjedhje, dhe nëse do të varej nga ai, do të miratonte një ligj elektoral që do të vendoste se koalicioni apo partia që ka marrë më shumë vota duhet të krijojë një qeveri. Dhe nëse vendi do të kishte një qeveri teknike atëherë ajo do të ishte në shërbim të Brukselit dhe jo të Italisë.
Për sa i përket marrëveshjeve të mundshme me parti të tjera, salvini u shpreh se njerëzit nuk e kishin votuar për të qeverisur me partinë demokratike apo me lëvizjen me pesë yje.
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike u shpreh se Lega duhet të qeverisë me atë aleat i cili ndan të njëjtin program me të. /abcnews/al


