Edhe komuna e Pejës, nuk i shpëtoi karantinimit. Ministria e Shëndetësisë mori vendimin për ta shpallur zonë karantine.
Ky vendim erdhi pas konfirmimit edhe të dy rasteve të reja të shtunën me Covid-19, që çoi numrin në 49 të të prekurve nga kjo komunë.
Përmes një postimi në Facebook, është bërë e ditur se Qendra Operative Emergjente e Pejës nën drejtimin e kryetarit Muhaxheri, mbajti takim për të shqyrtuar situatën e re të krijuar për shkak të Covid-19.
Në njoftim thuhet se nuk do të ketë kompromis për asnjë biznes që nuk i respekton rregullat.
Kreu i Shëndetësisë në Pejë, Petri Loci thotë se gjendja e të prekurve me Covid-19 në përgjithësi është e mirë.Dy nga ta, thotë ai janë hospitalizuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në klinikën infektive.
Loci bëri me dije se edhe të dielën, kanë vazhduar testimet në komunë, por se ende nuk dihet numri i saktë i atyre që do të testohen.
Ndërkohë, ishte një ceremoni mortore e zhvilluar më 6 prill në Pejë, që ndikoi që të përhapet në përmasa të mëdha, në këtë komunë. 36 persona që ishin pjesë e kësaj ceremonie, kishin dalë pozitivë për Covid 19. Ndaj edhe Prokuroria Themelore e Pejës, ka nisur hetimet.
Deri më tani numri i personave të prekur me koronavirus në Kosovë është 731, ku vetëm 24 orët e fundit janë konfirmuar 28 raste të reja dhe deri më tani 21 persona kanë humbur jetën.


