Reagon “Mother Jones”: Nuk jemi paguar për shkrimin

schedule16:24 - 9 Mars, 2018

schedule 16:24 - 9 Mars, 2018

Revista amerikane “Mother Jones” hedh poshtë çdo pretendim se është paguar nga kryeministri Edi Rama për investigimin për lobimin për PD në SHBA. Revista sqaron gjithashtu se investigimi i tyre nuk i ka dhënë përgjigje të plotë pyetjes që po shqetëson shqiptarët nëse kanë ndikuar rusët në politikën shqiptare apo jo.

Akuzave dhe kundërakuzave që dy partitë më të mëdha në vend i bëjnë njëra tjetrës pas pubikimit të investigimit të “Mother Jones”, revista amerikane i përgjigjet më me qetësi.
Pretendimeve të Partisë Demokratike se shkrimi përmbante fakte të sajuara dhe ishte paguar nga Edi Rama, revista amerikane i hedh poshtë.

“Akuza që “Mother Jones” mori pagesa nga Edi Rama për botimin e këtij artikulli është absurde. Ne kurrë nuk pranojmë pagesa për një hetim në asnjë rrethanë dhe sigurisht nuk e kemi bërë as në këtë rast. Polemikat mbi këtë histori kanë vazhduar. Një tjetër publikim hidhte dyshime se hetimi i “Mother Jones” ishte i njëanshëm sepse ka marrë 1.16 milionë dollarë në donacione nga dhuruesi demokrat George Soros. “Mother Jones” nuk ka marrë përkrahje nga asnjë prej organizatave të Soros në vite, dhe kur e ka bërë, shuma ishte shumë më e vogël se kjo”.

Revista Mother Jones i përgjigjet dhe deklaratës së ambasadës ruse duke e sqaruar se artikulli nuk flet për asnjë lidhje qeveritare ruse me këto kompani guaskë.

Ajo që ka më rëndësi në reagimin e revistës amerikane është të sqarojë pyetjen që kanë ngritur të gjithë: A e përdorën rusët sistemin politik në SHBA për të ndërhyrë në politikën shqiptare?

Përgjigja që jep “Mother Jones” nuk është as po as jo.

“Ne u përpoqëm t’i gjurmonim këto kompani të lidhura me Rusinë dhe përfaqësuesit e tyre duke ekzaminuar të dhënat e korporatave ruse, duke dërguar një gazetar në disa adresa në Moskë dhe duke dërguar kërkesa zyrtare përmes postës elektronike në Rusi, Ukrainë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Ne kurrë nuk morëm një përgjigje të plotë. Por pyetja jonë ka shkaktuar tension”./abcnews.al