Siri, 13 kamione me ndihma humanitare arrijnë në Gutën Lindore

schedule15:37 - 9 Mars, 2018

schedule 15:37 - 9 Mars, 2018

Në Gutën Lindore në Siri kanë mbërritur sot 13 kamionë me ndihma humanitare. Nga ana tjetër, Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë luftimet.

13 kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare kanë hyrë në Gutën Lindore që kontrollohet nga rebelët, zonë e cila gjendet në afërsi të Damaskut dhe që po pëson një ofensivë nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad. Njoftimi ka ardhur nga një zëdhënës i Kryqit të Kuq ndërkombëtar. Që prej orës 9 të mëngjesi deri në 14:00 është në fuqi një armëpushim humanitar në Gutën Lindore i vendosur nga Rusia për të lejuar shpërndarjen e ndihmave. Megjithatë, ky armëpushim nuk gjen zbatim të gjithanshëm.

Për këtë, Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë luftimet deri në dorëzimin e ndihmave. Kjo vjen pas miratimin të rezolutës në Këshillin e Sigurisë që kërkon respektimin e armëpushimit prej 30 ditësh në të gjithë Sirinë. Pavarësisht dokumentit të aprovuar në mënyrë unanime, kanë vijuar sulmet ajrore nga ana e regjimit të Damaskut kundër enklavës që gjendet në duart e rebelëve.

Ndërkohë, që prej nisjes së ofensivës së ushtrisë që mbështet Assad, në Gutën Lindore numërohen mbi 700 civilë të vrarë dhe mijëra të plagosur, mes tyre dhe qindra fëmijë. Disa anëtarë të Këshillit të Sigurisë në OKB kanë bërë thirrje që të niset një hetim për krime kundër njerzimit lidhur me bombardimet në këtë enklavë. /abcnews.al