Andrea Pirlo është ndër të paktët lojtarë që ka luajtur me tre skuadrat më të mëdha italiane: Milanin, Interin dhe Juventusin. Ai ishte një mesfushor magjik dhe pak lojtarë të tillë ka në futbollin botëror. 40-vjeçari ka bërë një bisedë të këndshme me Bobo Vierin në rrjetet sociale.
Rifillimi i Serie A mbetet tema më e komentuar dhe Pirlo e sheh të vështirë diçka të tillë. Tetorin e vitit 2017 i dha fund karrierës së lavdishme, ai tregon se ndodhi prej faktit që nuk kishte më dëshirë për t’u stërvitur, teksa në të ardhmen do e shohim si trajner.
“E shoh të vështirë rinisjen e Serie A në këto kushte. Është e rëndë të vendosësh, është shumë e vështirë të marrësh një vendim të tillë. E ardhmja si trajner? Po bëja një master dhe në shtator duhet të ishim gati. Duhet të shihnim Juric dhe Inzaghin, por gjithçka u bllokua.
Kam biseduar me disa skuadra për rolin e trajnerit, por vetëm kaq. Mund të nis këtë karrierë jashtë Italisë, futbolli është njësoj në çdo vend, mua më mjafton që të filloj. Tërheqja? Nuk më mungojnë ndeshjet, u tërhoqa sepse nuk kisha më dëshirë për t’u stërvitur.
Për këtë shkak luajta dy vite e gjysmë në SHBA, doja të më ulej adrenalina e lojës. Kalova një aventurë jetësore shumë të bukur. Muajt e fundit mezi stërvitesha, nuk kisha fare dëshirë. Nuk më mungon futbolli, jam gati për të tjera gjëra”, përfundon Pirlo. /abcnews.al