Rikthehen skafet me klandestinë nga Vlora për në Itali

schedule14:22 - 24 Prill, 2020

schedule 14:22 - 24 Prill, 2020

Policia njoftoi sot se kishte sekustruar një gomone të gjatë 9 metra me dy motorë të fuqishëm në Karaburun të Vlorëë duke arrtestuar edhe dy persona.

Blutë e Vlorës theksuan se dyshohej se gomonia ishte vjedhur në Greqi duke njoftuar se ishin arrestuar edhe Dushan Spahiu 43 vjeç dhe Paulin Koçi 25 vjeç.

Por duket se ngjarja është më e rëndë se sa vjedhja e një gomoneje në Greqi dhe këtë e konfirmon Forca Detare, e cila gjatë orëvë të mbrëmjes së djeshme ka bërë gjithashtu një shpjegim për kapjen e gomones në fjalë.

Forca Detare thekson në një njoftim që më pas u fshi nga faqja se gomonia është kapur dje në Karaburun dhe një ditë më parë ata kishin dërguar nga bregu shqiptar në drejtim të Italisë 33 klandestinë. Pasi i dërguan në Itali ata janë kthyer në ujërat shqiptare duke u kapur nga Forca Detare.

Mësohet se gomonia kishte disa javë që kërkohej nga Guardia di Finanza për transport të klandestinëve.

Lajmi për zbarkimin e klandestinëve është dhënë sëfundmi edhe nga agjencia ANSA, e cila thekson se klandestinët zbritën në brigjet e Salentos.

Mes tyre sipas ANSA-s ishin 19 burra, 4 gra dhe 10 fëmijë të shoqëruar nga prindërit e tyre. Klandestinët ishin me origjinë nga Siria, Egjipti dhe Iraku, ndërsa mes tyre ka qenë edhe një grua në muajin e pestë të shtatëzanisë, e cila vuante nga hipotermia.

Gomonia e kapur

Njoftimi i Forcës Detare

Vlorë, Forca Detare shqiptare verifikoi një mjet lundrues të paidentifikuar, i cili u pikas nga Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësires Detare.

Anija P – 03 e Rojes Bregdetare arriti mjetin lundrues tip gomone në zonën e quajtur Shpella e Haxhi Alisë.

Në gomonen e gjatë rreth 9 m me 2 motorë 250 kW, lundronin edhe dy persona, të identifikuar si Paulin Koçi dhe Dushan Spahiu, të cilët deklaruan se kishin dalë në det për të testuar mjetin lundrues, por pa patur lejen përkatëse.

Njoftimi i Forcës Detare i hequr më pas nga faqja e Ministrisë së Mbrojtjes

Dy shtetasve iu sekuestruan aparatet telefonike dhe u njoftua Policia Kufitare e Vlorës.

Gomonia u rimorkiua dhe u akostua në Triport, ku iu dorëzua Policisë.

Gjate operacionit pati bashkëpunim edhe me Guardia di Finanza, e cila konfirmoi se mjeti lundrues dhe dy personat ne bord, ditën e djeshme kane transportuar në brigjet e Italisë 33 klandestine.

Ka të dhëna të besueshme që kjo gomone kërkohet prej një muaji nga Policia Kufitare dhe Guardia di Finanza. /abcnews.al