Koronavirusi, Meta dekreton ndryshimet për Kodin Penal

schedule12:26 - 22 Prill, 2020

schedule 12:26 - 22 Prill, 2020

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një komunikim për mediat njoftoi se ka dekretuar ndryshimet në Kodin Penal, duke i vlerësuar ato si të nevojshme në këtë kohë të fatkeqësisë natyrore.

“Ju përgjigja kërkesës për bashkëpunim dhe konsensus nga Kuvendi dhe Qeveria për ndryshimet në Kodin Penal, diskutimi i gjerë ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit final.

Si Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, kam dekretuar shpalljen e ligjit nr. 35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë, për arsye se kohëzgjatja, pasojat, apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë, mbeten ende të paparashikueshme.

Lexo edhe: Meta: Rritja numrit të testimeve duhet të jetë qëllimi i qeverisë

Kam ndjekur nga afër shqetësimet e bëra publike nga aktorë të ndryshëm mbi propozimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk është një kërkesë vetëm formale kushtetuese, që duhet të respektohet nga komisionet e përhershme parlamentare dhe seanca plenare.

Përkundrazi, është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligje të rëndësishme, me një konsultim dhe konsensus të gjerë.

Ndaj dhe Institucioni i Presidentit të Republikës, iu përgjigj kërkesës për bashkëpunim dhe konsensus nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë, për ndryshimet në Kodin Penal”, tha Meta.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës vlerëson se është e domosdoshme që përpara hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave të reja në Kodin Penal:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, duhet të vlerësojnë plotësimin e kuadrit ligjor apo nënligjor që lidhet drejtpërdrejtë me aplikimin e legjislacionit penal, si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit nr. 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme, që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procedimin administrativ apo penal.

Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas penale, të nxjerra nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji, duhet t`i nënshtrohen një fushate të gjerë e të vazhdueshme informimi publik, përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare.

Pushteti vendor dhe Qeveria duhet të rrisin kapacitetet e tyre për t`iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe nevojave jetësore të shtresave më në nevojë dhe pensionistëve të cilëve u është kufizuar totalisht liria e qarkullimit;

Njoftimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i personave të diagnostifikuar, karantinuar apo izoluar, dhe i të afërmve të tyre dhe personave të tyre të kontaktit, duhet të jetë i dokumentuar.

Rritja e numrit të testimeve duhet të jetë qëllim i vazhduar i Qeverisë. Një bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është i domosdoshëm, për hartimin e udhëzimeve integrale që do të orientojnë Policinë e Shtetit, prokurorët dhe gjyqtarët për aplikimin e dispozitave të reja të Kodit Penal, bazur në kritere të qarta teknike dhe aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

Miratimi i këtyre udhëzimeve dhe publikimi i tyre, duhet t`i paraprijë hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të Kodit Penal, për të patur një zbatim objektiv, në përputhje me parimet kushtetuese dhe me rrethanat që kanë diktuar miratimin e këtyre normave të reja penale në këto momente.

Presidenti i Republikës mirëpriti edhe ndryshimet e tjera në Kodin Penal që trajtojnë dhunën në familje, në të gjitha format e shfaqjes së saj, ndërkohë që shihet me rezervë riformulimi jo i qartë sa i takon një pjese të rrethit të subjekteve të shtuar në dispozitën e dhunës në familje.

Presidenti i Republikës gjen dhe një herë rastin t`u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë me durim dhe përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale.

Po kështu, gjej rastin të theksoj rëndësinë e rritjes së transparencës në menaxhimin e pandemisë dhe rëndësinë e përkujdesjes për shtresat më të prekura nga kufizimet dhe pasojat ekonomike e sociale.

Vetëm përmes një bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe qytetarëve, do të jemi më të sukseshëm në kapërcimin e kësaj fatkeqësie natyrore”, deklaroi Meta/abcnews.al