Në Kosovë janë 561 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa Ferizaj është komuna me më së shumë të prekur. Janë 90 qytetarë nga kjo komunë që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Komuna e Ferizajt për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus është futur në karantinë. Mirëpo, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka propozuar që komuna e udhëhequr nga ai të hiqet nga karantina.
Sipas Aliut, nëse Ferizaj del nga karantina, Policia e Kosovës do të mund të kontrollonte më mirë qytetarët dhe do të mundësohej respektimi i masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë e Kosovës për kufizimin e lëvizjes së lirë.
“Unë kam biseduar edhe me ministrin Arben Vitia sa i përket çështjes së heqjes së karantinës. Janë arsyet logjike dhe arsyet praktike. Arsyeja logjike është sepse tashmë ne kemi masa edhe vendime të qeverisë të cilat e bëjnë kufizimin e lëvizjes të qytetarëve në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit dhe duke qenë se ky kufizim është një orë e gjysmë, nëse respektohet në 100 për qind ky vendim, nuk ka asnjë mundësi që një qytetar i Komunës së Ferizajt për 90 minuta të shkojë në një qytet tjetër dhe të kthehet.
Pra respektimi si duhet i masave, veprimeve dhe vendimeve të qeverisë është në fakt një lloj karantine. Kjo është do me thënë çështja e parë e që është çështje logjike.
Çështja praktike është se, duke u vendosur policia në pikat e hyrjes së Komunës së Ferizajt nuk po ka mundësi që të ketë kapacitete që të e kryej punën në mënyrën më të mirë sepse tashmë policia është me resurse të kufizuara duke pasur parasysh se kemi edhe dy qendra të tjera të rëndësishme të Kosovës në karantinë, Prishtinën dhe Prizrenin. Pra tri qendrat kryesore të Kosovës janë në karantinë dhe kjo paraqet një vështirësi praktike në kuptimin që policia të jetë më efektive dhe më efikase në punët e veta. Dhe po ashtu ka hyrje kolaterale fjala po bije, për shkak të mos mundësisë me u mbajt karantina në Ferizaj.
Nëse hiqet karantina, ne mund t’i përdorim këto resurse policore qoftë për të respektuar vetizolimin e personave që kanë kontakt me personat e prekur me COVID-19 e po ashtu edhe për t’u respektuar karantina në fshatra, respektivisht vendbanime ku kemi më shumë të prekur me COVID-19. Gjithashtu shfrytëzimi i këtyre resurseve policore do të mundësonte që të shihej më shumë dhe më afër edhe ajo se sa mund të respektohet masa dhe veprimet e qeverisë për qarkullim brenda një orë e gjysmë”, ka thënë ai për mediat në Kosovë.


