Flusk aplikimesh për të përfituar nga subvencionet në bujqësi

schedule15:14 - 7 Mars, 2018

schedule 15:14 - 7 Mars, 2018

Interes të lartë kanë paraqitur fermerët për të perfituar mbështetje financiare nga qeveria me qëllim zhvillimin e investimeve në bujqësi. Vetëm javën e parë kanë aplikuar mbi dy mijë fermerë.

Një javë pas çeljes së aplikimeve rreth dy mijë fermerë kanë shprehur interesin për të perfituar nga subvencionet e qeverisë për bujqësinë, blegtorinë dhe agropërpunimin.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural tregon se skemat e mbështetjes financiare kanë nxitur fermerët të formalizohen.

“600 fermerë kanë aplikuar për kartën e fermerit dhe NIPT, janë ndërgjegjësuar që duhet të pajisen për t’u mbështetur. Fushat me interes janë bletaria, matrikullimi, teknikat e ujitjes”.

Për të aplikuar këtë vit fermerëve iu duhet vetëm një numër NIPTI dhe karta e identitetit, ndërkohë fushat prioritare për t’u mbështetur janë disa.

“Është thënë prej fillimit që nuk mbështet kopshtaria, por bujqësia për këtë janë vënë pragje 5 ha mbjellje ose 100 krerë të imta.

Për herë të parë mbështetja orientohet drejt agroturizmit. Mbështeten investet për ngritje bujtinash nga 6 në 10 dhoma. Start –up-et e reja kanë vëmendje të veçante, peshkimi gjithashtu. Ngritja e kapaciteteve për ruajtje frigoriferike, apo kapia e açugeve”.

Fermerët mund të aplikojnë pranë Agropikave apo Drejtorive Rajonale të Bujqësisë deri më 28 mars. Të dhënat e tyre do të shërbejnë gjithashtu për krijimin e një regjistri i cili pas këtij procesi do të orientojë institucionet për të adresuar si duhet mbështetjen për zhvillimin e bujqësisë. /abcnews.al