Maskat kanë terrorizuar biznesmenët në rajonin e Korçës. Në mëngjesin e kësaj të diele, ata kanë sulmuar tre fabrika. Në fabrikën e bojërave në Dishnicë të Korçës janë marrë 70 milionë lekë të vjetra, kurse ne dy fabrikat e tjera nuk kane gjetur para.
Tre biznese, të pozicionuara në rrugën nacionale Korçë-Kapshticë u sulmuan dhe u grabitën.
Në njërin prej tyre, një fabrikë për prodhimin dhe shitjen e bojrave, në Dishnicë, grabitësit kanë marrë nga kasaforta një shumë prej 7 milionë lekësh të reja, kurse roja e ka konstatuar grabitjen vetëm pas 5 orësh.
Në të njëjtin hark kohor, grupi i grabitësve ka hyrë në ambientet e fabrikës së mjaltit Morava, në fshatin Plasë dhe pasi nuk kanë gjetur para, kanë kontrolluar edhe shtëpinë e pronarëve të fabrikës,por edhe prej aty kanë dalë duarbosh.
Grabitësit janë kujdesur të marrin edhe pamjet e kamerave të sigurise, duke zhdukur çdo gjurmë të mundshme, qs mund t’ju zbulonte identitetin.
Bashkëshortët kanë konstatuar prezencën e personave të huaj në banesë, por nuk kanë mundur t’i identifikojnë.
Gëzim Skerma: “Ishim në gjumë dhe një derë ballkoni u hap dhe ime shoqe e ndjeu dhe doli. E dinim që e kishim hajdutin brenda meqë ishte e hapur ajo. Mora çiften, se e kam me leje ate, dhe pashë dhomë më dhomë, kontrollova dhe nuk ishtë brenda. Atëherë filloj të kontrolloja jashtë shtëpisë dhe kur erdha nga fabrika e shikoj që ishte shqyer gjithçka.”
Pasi janë larguar nga banesa e çiftit Skerma, grabitësit kanë sulmuar një fabrikë qumështi.
Por, sipas deklarimit në polici të pronarëve, nuk kanë mundur të vjedhin asgjë, sepse si duket synimi i tyre kane qene parate.
Policia lokale po vijon hetimet për grabitjet seriale, por deri tani, rënia në gjurmë të autorëve duket e vështirë.
Nga mekanizmi i përdorur gjatë ngjarjeve, grupi hetimor dyshon se ato janë kryer nga i njëjti grup kriminal, që vepron prej disa kohesh në juglindje dhe që po sfidon policinë./abcnews.al