COVID-19, numri i të shëruarve më i lartë se të infektuarit aktiv

schedule11:08 - 20 Prill, 2020

schedule 11:08 - 20 Prill, 2020

Prej më shumë se një jave përqindja e të shëruarve është më e lartë se të infektuarit aktiv. Numri i të infektuarve aktivë në vendin tonë tashmë është 231. Ndërkohë në 24 orët e fundit janë testuar 232, nga të cilat kanë rezultuar pozitiv 22 raste të reja.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë gjatë përditësimit të rasteve paraditen e sotme. Ndërkohë listës së të shëruarve i janë shtuar edhe 13 pacientë gjatë 24 orëve të fundit.

Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë konfirmoi 584 raste të prekurish me COVID 19 në vend.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 327. Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë.

Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave”, sqaroi Dr. Eugena Tomini.

Lexo edhe: Shkon në 584 numri i të prekurve nga koronavirusi, Laçi kthehet në vatër të rrezikshme

Ndërkohë në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar, prej të cilëve 5 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 44 pacientë.

Ndërkohë sipas Ministrisë së Shëndetësisë deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!