Një tjetër gjë e mbetur pezull në këtë situatë mbylljeje dhe izolimi, janë kampionatet e këtij viti në futboll, në të gjitha vendete e Evropës. Federatat përkatëse shpresojnë në realizimin e ndeshjeve të mbetura… por kur do të mund të ndodhë që të gjithë të rikthehen të sigurt në stadiume???
Kjo periudhë e vitit, zakonisht është më emocionuesja për tifozët e futbollit, në një moment që ekipet e tyre i afrohen objektivave, kur kampionati i afrohet fundit dhe të gjithë pretendojnë vendin e parë.
Por në vend të kësaj, stadiumet janë bosh dhe lojtarë e tifozë qëndrojnë mbyllur në shtëpitë e tyre si pasojë e masave për ndalimin e përhapjes së koronavirus. Duke lënë pezull dhe përfundimin e kampionateve.
Në fillim të këtij muaji UEFA pezulloi Champions League, Europa League dhe ndeshjet në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. Por në një moment që qeveritë po marrin në konsideratë lehtësimin e kufizimeve dhe lëvizjeve në javët në zhvillim, autoritetet e futbollit po mendojnë për mënyrat e rigjallërimit dhe shpëtimit të sezoneve.
PREMIER LEAGUE – Liga Angleze e Futbollit mbajti një takim dy orësh të premten e kaluar me diskutime rreth faktit se si do të kompletoheshin 92 ndeshjet e mbetura. Dhe pse klubet mbeten të përkushtuara për të përfunduar sezonin 2019-20, një afat i folur më parë, 30 qershori, nuk ishte pjesë e debatit.
Takimi u mbajt pasi qeveria britanike shtyu dhe me tre javë mbylljen e vendit si pasojë e koronavirusit. Premier League ka bërë të qartë se nuk do të ketë rifillim sezoni deri sa të kishte siguri për shëndetin e lojtarëve dhe tifozëve. Individualisht ekipet kanë nëntë ose 10 ndeshje të tjera për të luajtur. Liverpuli, aktualisht është në krye të kampionatit, duke lënë pas Manchester City.
LA LIGA – Futbolli në Spanjë është pezulluar për më shumë se një muaj dhe në një vend ende të mbyllur, është e paqartë se kur do të mund të rinisë sezoni. Federata spanjolle e futbollit është shprehur se ka plane të shpërblejë skuadrat me vende në Europa, nëse ndeshjet e mbetura nuk do të mund të luhen. Kjo nënkupton se Barcelona, aktualisht në krye të tabelës do të mund të kualifikohet për Champions League, së bashku me vendin e 2, të tretë dhe të katërt: Real Madrid, Sevilia dhe Real Sociedad.
Ekipet që vijnë më pas përfshirë dhe Atletico Madrid, do të kualifikohen në Europa League. Por një propozim i tillë nuk është pritur mirë nga La Liga. Mbetet ende shpresa se sezoni do të rinisë dhe javën e fundit u fol për tre data të ndryshme që po merreshin në konsideratë, mes fundit majit dhe qershorit.
BUNDESLIGA – Liga gjermane e futbollit nuk është shprehur ende për një datë se kur mund të rinisë gjithçka, por deri në 30 prill asgjë nuk do të mund të rifillojë. Por gjithsesi ka diskutime për faktin nëse disa ndeshje mund të luhen pa tifozë në javën e dytë të majit. Klubet e Bundesligës ndërkohë kanë rifilluar stërvitjet në grupe të vogla.
Por tifozët gjermanë nuk janë aspak dakord dhe me anë të një deklarate të përbashkët kanë bërë të qartë se ndeshjet pa tifozë nuk janë një zgjidhje. Dhe se rinisja e sezonit në këtë mënyrë do të ishte një poshtërsi ndaj pjesës tjetër të shoqërisë.
SERIE A – Në Itali ministri për sportet u shpreh se shpresonte që klubet të rifillonin trajnimin në 4 maj. Dhe mbyllja e gjithë vendit është shtyrë deri në atë datë. Seria A u pezullua për një kohë të pacaktuar në muajin mars pasi disa ndeshje u zhvilluan pa tifozë.
Shoqata italiane e Fubollit ka thënë se sezoni nuk do të rifillojë derisa shëndeti dhe siguria të jenë të garantuara. Por gjithsesi, dhe këtu është shpresa se ndeshjet e mbetura do të luhen. Është menduar që të gjithë futbollistët t’i nënshtrohen testit për COVID-19 para rifillimit të trajnimit. Juventusi është në krye të klasifikimit vetëm një pikë para Lazios.
LIGUE 1 – Autoritetet e Futbollit në Francë, po marrin në konsideratë një plan sipas të cilit ndeshjet e mbetura të Ligës të luhen mes qershorit dhe korrikut. Paris St Germain është në krye të tabelës me 22 pikë më shumë se vendi i dytë.
Liga e futbollit profesionist francez ka caktuar datën 17 qershor për të rinisur ndërsa federata franceze e futbollit shpreson që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt. Mbyllja e të gjithë vendit do të vijojë deri në 11 maj./abcnews.al