Drejtuesit e klubeve të futbollit janë fokusuar te ulja e rrogave të lojtarëve dhe stafeve teknike. Kjo shihet si një “frymëmarrje” në këtë krizë të madhe ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Tottenham shkarkoi Mauricio Pochettinon nëntorin e kaluar dhe i besoi stolin Jose Mourinhos. Argjentinasi kishte një kontratë deri në vitin 2023 me klubin londinez dhe do vazhdojë të paguhet deri në momentin që do të nisë një aventurë të re.
Daily Mail zbulon një prapaskenë interesante në lidhje me të. Ai përfiton 8.5 milion paund në sezon, shumë që rëndon në arkat e klubit. Presidenti i Tottenham, Daniel Levy ka telefonuar Pochettinon dhe i ka kërkuar të ulë rrogën e tij, njësoj si lojtarët dhe stafi teknik.
Jo vetëm kaq pasi kreu i Spurs ka kërkuar ndihmën e ish-trajnerit për të bindur që të ulin rrogën edhe tre prej pjesëtarëve të stafit teknik. Ndodh edhe kështu, jemi në krizë dhe të gjithë luajnë çdo kartë për të kursyer sa më shumë. /abcnews.al