Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sërish sot se në fund të javës do fillojë operacioni i dytë ri riatdhesimit për emigrantët që duan të kthehen në Shqipëri. Në një njoftim në mediat sociale Rama bën me dije se ky plan do të përshpejtohet dhe do të ndryshojë në vijim duke u adoptuar në funksion të të dhënave nga COVID-19.
“? JA SI DO TË NISË RIATDHETËSIMI NGA ITALIA NË FUND TË JAVËS *Plani i Riatdhesimit do të përshpejtohet dhe si të gjitha masat e tjera, do të ndryshojë në vijim duke u adaptuar në funksion të të dhënave nga fusha e luftës me COVID-19”, shkruan Rama.
Ndërkohë në video është ministria e Infrastrukturës, Belin Balluku e cila prezantoi planin dhe tha se udhëtimet do të jenë nga disa vende të Evropës përmes “Air Albania”. Ajo shtoi se të gjithë emigrantët do të akomodohen për 14 ditë në disa hotele në Durrës.
“Duke filluar nga dita e shtunë datë 18 prill ‘Air Albania’ do të nisë fluturimet nga disa destinacione europiane për ata që duan të kthehen në atdhe. Për të plotësuar kushtet e karantinimit kemi një marrëveshje me disa hotele në Durrës, që kanë shprehur vullnet për t’u kthyer në karantina. Transporti ajror do të kryhet nga ‘Air Albania’, e gjithë paketa ku përfshihet transporti dhe hoteli do të mund të rezervohet online me pagesa të arsyeshme. Për të kryer rezervimin duhet të shkoni te faqja airalbania.com.al dhe më pas rubrikën riatdhesime. Klikoni te linku i hotelit te paketa që u përshtatet dhe më pas konfirmoni formularin elektronik. Formulari do të firmoset fizikisht në sportelet e ‘Air Albania’ nga ku do të udhëtoni. Ju lutem lexoni me kujdes kushtet e vendosura, pasi nuk do të tolerojmë askënd që thyen rregullat e vendosura.
Pasi të keni pranuar kushtet mund të procedoni me pagesën elektronike për karantinën 14 ditë. Në e-mail do të vijë konfirmimi për rezervimin e akomodimit së bashku me një kod unik të cilin do ta përdorni për të vijuar me rezervimin e biletës së avionit. Me Kodin kryeni rezervimin e biletës dhe pagesën. Kështu do të keni përfunduar procesin. “Air Albania” do dërgojë detajet për ditën dhe orën e fluturimit në e-mail. Në momentin që personat e riatdhesuar do të mbërrijnë në Rinas, aty do t’i nënshtrohet një procesi të verifikimit të gjendjes së tyre shëndetësore dhe më pas do të transportohen në shoqërimin e policisë për në Durrës, ku do të qëndrojnë 14 ditë në karantinë. Fluturimet do të nisin me Romën, por edhe nga destinacione të tjera mund të përdoren për të udhëtar nga Tirana drejt Italisë nga qytetarët italianë apo shqiptarë që kanë leje në vendin fqinj. Ju lutem respektoni kërkesat e vendosura nga Italia. Sistemi elektronik për rezervimet online do të jetë gati nga dita e enjte në orën 10:00. Për çdo paqartësi do të vendosim disa numra kontakti”, u shpreh ndër të tjera Balluku.
Plani i riatdhesimit u prezantua dje nga Rama, i cili bëri me dije se të shtunën do jetë fluturimi i parë nga Roma. Sipas protokollit çdo qytetarë i kthyer duhet të karantinohet për 14 ditë, pasi mund të jetë bartës i COVID-19./abcnews.al