Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, e ka ndarë mendjen dhe nuk do të japë asnjë ndihmë për sportin. Të paktën deri më tani i qëndron kësaj ideje dhe e ka përsëritur edhe sot, kur është pyetur nëse do të përfshihen në paketën e ndihmave arbitrat e futbollit.
Përgjigja e Ramës ka gjetur reagim dhe në rrjetet sociale, është Albano Stolaj, i cili i është përveshur kryeministrit Rama. Arbitri, që drejton shpesh ndeshje në Kategorinë e Përë, nuk kursehet ndaj Ramës, madje e quan të parin e qeverisë një dështak.
“Nuk shikon kampionat shqiptar, se merr avionin privat edhe shkon e shikon në Torino, Juve – Lazio, karagjozi që bën kryeministrin e shqiptarëve… Kemi 7 vjet që paguajmë ty, ministra e deputet, që po e shkatërroni këtë vend.
Ndërsa ty të paska thënë Olsi apo Fino, se arbitrat japin penallti kot dhe i paske besuar… Arbitrat s’kanë nevojë për ty, o dështak. Ti thjesht zbato detyrat, si kryeministër që je”, shkruan Stolaj, i cili njihet edhe si një mbështetes i Partisë Demokratike, që është në opozitë.
ÇFARË THA RAMA KONKRETISHT – Kryeministri, në një lidhje direkte që pati me qytetarë përmes faqes së tij në “Instagram”, u pyet edhe në lidhje me abitrat e futbollit. “Po për arbitrat o shefi, si i bëhet? a do na paguajë njeri?”, komenton dikush.
Qëndrimi i Ramës në lidhje me botën e sportit tani dihet dhe përgjigja e tij nuk mund të konsiderohet befasuese: “T’ju paguajmë pse nuk po jepni penallti gabim?! Jepni shumë penallti gabim ju. Kam dëgjuar, se unë nuk e ndjek kampionatin shqiptar, por për arbitrat e futbollit, jo, nuk ka asgjë për momentin”. /abcnews.al