Për herë të parë që nga zbulimi i koronavirusit në Shqipëri një paciente me Covid 19 shkëputet nga aparatura që e mbante në frymëmarrje të drejtuar dhe paraqitet në gjendje të qëndrueshme shëndetesore.
Bëhet fjalë për një 72 vjeçare me sëmundje bashkëshoqërues e cila rreth dy javë më parë është transportuar nga spitali Infektiv drejt ish Sanatoriumit për një trajtim më të specializuar dhe për 14 ditë ka qënë e intubuar. Mjekët tregojnë për ABC News se tashmë e infektuara me Covid 19 po trajtohet me oksigjen dhe ka reaguar mirë ndaj terapisë.
Ndërkohë në spitalin “Shefqet Ndroqi” vijojnë të jenë të intubuar dhe katër pacientë të tjerë nga shtatë që ndodhen në terapi intensive. Dy prej tyre sipas bluzave të bardha po shfaqin përmirësime të dukshme.
Ndërsa në spitalin Infektiv vetëm një prej pacientëve nga pesë që po trajtohen në reanimacion mbahet me frymëmarrje të drejtuar.
34 pacientë po mbahen në pavione dhe paraqiten në gjendje më të mirë shëndetësore.
Ndërkohë që numri i atyre që kërkojnë ndihmë në spitale ka rënë numri i të shëruarve nga koronavirusi ashtu si dhe dy ditë më parë vijon të jetë më i lartë se ai i personave aktiv me Covid 19.
Këtë të martë sipas Ministrisë së Shëndetësisë kemi 248 persona të sheruar në total, 16 raste në 24 orët e fundit dhe 203 persona pozitiv.
Në listën e të shëruarve nga koronavirusi janë dhe katër personel shëndetësor mes tyre dy anëtarë të Task-Forcës për Covid 19, drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj dhe shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT Andi Koraqi.
Rënie të ndjeshme kanë pësuar dhe rastet e reja me koronavirus krahasuar me një ditë më parë ndonëse numri i testimeve të kryera në 24 orë ka pësuar rritje. Vetëm 8 persona nga 236 të dyshuar.
Për here të parë harta e të prekurve zgjerohet në Kukës me një rast në radhët e bluzave të bardha. Në Tiranë janë zbuluar gjashtë persona të tjerë me Covid 19 ndërsa në Shkodër vetëm një./abcnews.al