Opozita parlamentare kundër burgimit për ata që thyejnë karantinën: Ndryshimet në kodin penal, të rrezikshme

schedule15:55 - 13 Prill, 2020

schedule 15:55 - 13 Prill, 2020

Pasi t’i kalojë të martën në Komisionin e Ligjeve, Kuvendi pritet të miratojë të enjten ashpërsimet e Kodit Penal duke parashikuar deri në 15 vjet burg për ata që thyejnë karantinën gjatë epidemisë.

Opozita aktive parlamentare deklaron se do të votojë kundër tyre.

“Këto ndryshime të Kodit Penal janë tërësisht të panevojshme dhe të pa justifikuara në kushtet ku ne ndodhemi në Shqipëri. Edhe po të shikosh vende të tjera si Italia, Franca, Spanja apo ShBA-të, në raport edhe me popullsinë, ne jemi shumë më mirë dhe ne duhet t’i lehtësojmë masat kufizuese, dhe jo t’i ashpërsojmë ato. Ndryshimet në Kodin Penal janë shumë të rrepta për kushtet ku ne gjendemi. Burgimi deri në 15 vjet është i ashpër”,- tha Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat.

“ABC News” ka mësuar se qeveria do të bëjë hapa pas në Komision, duke i zbutur ndëshkimet e duke ulur vitet e dënimit, por për opozitën këto janë shenja të një qeverie autoritare.

“Këtu duket ndryshimi mes një vendi autoritar dhe një shteti demokratik. Një shtet demokratik garanton të drejtat dhe liritë themeltare të qytetarëve të tij, dhe balancon çdo masë që merr e nuk shkon drejt ekstremit. Mund t’ju sjell këtu në vëmendje Britaninë e Madhe që po vuan shumë, apo Suedinë që ka zgjedhur imunitetin e tufës dhe nuk e ka kufizuar lëvizjen e qytetarëve suedezë. Qeveria e Edi Ramës ka vendosur rrugën e autoritarizmit dhe po shkon më shumë drejt thellimit të saj, duke propozuar masa ekstreme për t’i frikësuar shqiptarët”,- thotë për “ABC News” Ralf Gjoni, deputet i ardhur nga listat e LSI-së.

Andi Përmeti, deputet i listave demokrate ka këtë argument: “Nuk mund ta dënosh një person me 10 vite burg, jo mbartës i sëmundjeve infektive, vetëm sepse del nga shtëpia për të bërë pazar. Nuk mund ta dënosh as me 6 muaj e as me 30 ditë burg. Nuk mund ta bësh këtë në një vend të varfër si i yni që nuk ka kapacitete të kujdeset për mijëra pensionistë që jetojnë të vetëm. Nuk mund të jenë ato në një shtet si i yni dhe në asnjë shtet të Evropës nuk ekzistojnë”.

Edi Ramës i duhen edhe 10 vota jashtë partisë së tij për të kaluar këto ndryshime, ndaj Alban Zeneli ka këtë thirrje për kolegët e opozitës.

“Të jenë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për votën e tyre, vota e tyre nuk duhet të shkojë në anti-kushtetutshmëri. Nuk duhet të miratojnë me dorën e tyre që tu shkelet e drejta dhe liria qytetarëve shqiptarë. Ta votojnë kundër këtë akt të papërgjegjshëm të mazhorancës”,- tha Alban Zeneli, deputet demokrat.

Por në Kuvend ka shumë deputetë të opozitës së re të cilët në heshtje e pa u përfshirë në debat publik, votojnë pro qeverisë. Sigurimi i votave jashtë mazhorancës jep edhe një sinjal për shkëmbim favoresh sipas Zenelit.

“Votimi i këtij akti do të sjellë një shkelje flagrante të Kushtetutës, por do të sjellë dhe atë që quhet korrupsionin politik parlamentar”,- i tha Alban Zeneli televezionit “Abc News”.

Andi Përmeti sjell dhe një tjetër argument pse këto ndërhyrje ligjore nuk duhen pranuar: “I jep qeverisë një mjet të rrezikshëm në dorë”.

Deputetët shtojnë se Britania e Madhe apo Suedia, nuk e kanë cënuar farë lirinë e lëvizjes, e jo më të parashikojnë burgim, ndërsa masat me deri 15 vite burg nuk janë parë sipas tyre, në asnjë Kod Penal të asnjë vendim demokratik./abcnews.al