Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri Johannes Hahn ndodhen në Prishtinë në kuadër të një vizite zyrtare. Në konferencën e përbashkët për shtyp, kreu i shtetit kosovar falenderoi Bashkimin Europian për mbështetjen ndaj vendit.
Pas takimit në presidencë, kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesja e lartë për Politika e Jashtme në BE, dhe kreu i shtetit kosovar, Hashim Thaçi mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kreu i shtetit kosovar u shpreh se prania e delegacionit të lartë europian në vend është një dëshmi për mbështetjen që Bashkimi Europian ka për Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Hashim Thaçi: “Ne sot së bashku me Veselin, Haradinajn, Pacollin dhe Jevtiçin realizuam një takim shumë efektiv. Në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, jemi krenar që procesi është bërë sipas vlerave të BE-së. Argumenti më i fuqishëm i parnteritetit tonë është marrëveshja për MSA-në. Falënderoj të gjitha institucionet e BE-së që kanë kuptuar mirë rëndësinë e zhvillimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor”
Ai theksoi se Kosova është e përkushtuar të marr statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE.
Hashim Thaçi: “Lidhur me dialogun e falënderoj Mogherinin për durimin dhe vendosmërinë e saj në këtë proces. Dialogu është proces shumë i vështirë, por mbetet rruga e vetme mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ndërsa Juncker nga ana e tij ka përsëritur dhe njëherë më shumë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë pas miratimit të demarkacionit me Malin e Zi. Kreu i Komisionit Europian theksoi se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit aktualisht është në një fazë të re./abcnews.al