Moti i keq në vend, fshatrat malore mbeten të izoluara

schedule22:32 - 27 Shkurt, 2018

schedule 22:32 - 27 Shkurt, 2018

Reshjet e dëbores dhe temperaturat e ulëta po mbajnë të izoluar fshatrat malorë të qarqeve në vend. Nga moti i acartë është pezulluar mësimi në disa shkolla dhe raportohen edhe probleme me energjinë elekrike.

Shkodër
Bora e ka rënduar gjendjen në kryeqendrën e veriut.
Zona e Dukagjinit, përkatësisht në Shoshë, Shalë dhe Pult janë totalisht të izoluara. Prej disa ditësh, aty nuk zhvillohet procesi mësimor. Ndërsa Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth janë të pakalueshme.

Kukës
Në Kukës temperaturat janë në rritje dhe ka ndërprerje të reshjeve. Në rrugën Kukës-Peshkopi, Kukës-Has, Kukës –Shishtavec punojnë vazhdimisht borëspastruese. Grykecaja, Arren dhe Kalisi mbeten të bllokuara.

Lezhë
Në Mirditë, njësitë administrative të Selitës Oroshit dhe Fanit raportohet se janë të bllokuara nga reshjet e dëbores. Në rruget kryesore nuk është paraqitur asnjë borëpastruese për hedhjen e kripës.
Në qytetin e Lezhës nuk pati probleme nga moti.

Korçë
Në juglindje në zonat urbane qarkullohet normalisht.
Trashësia e dëborës ka paralizur lëvizjen në fshatrat e Korçës si Lekasi, Lubonja, Panariti, Sinicën dhe Arzën .
Prej disa ditësh edhe fshati turistik i Dardhës është i izoluar.

Elbasani
Pasditen e së martës u bllokua për disa minuta qarkullimi Elbasan-Tiranë, por u rihap për disa minuta dhe mjetet vijuan lëvizjen normalisht.
Në rang qarku probleme janë konstatuar vetëm në disa fshatra të thellë malorë në Prrenjas, Librazhd, Gramsh dhe Elbasan.
Për pasojë nuk është zhvilluar mësimi në mjaft shkolla.
Të njëjtat zona vuajnë mungesën e energjisë elektrike.

Peshkopi
Në Dibër procesi mësimor nuk është zhvilluar as në qytet. Rrugët nacionale në këtë qark janë të hapura, por kalohen me zinxhirë.
Në rrugën Peshkopi-Tiranë ka probleme tek Pishat e Bulqizës dhe në Qafën e Buallit ku fryn erë e fortë.
Kurse në rrugën Peshkopi–Kukës, situata është kritike në Kalanë e Dodës. Autoritetet vendore njoftojnë se të gjitha fshatrat janë të izoluara./abcnews.al