“I mirëkuptoj klubet e futbollit”/ Rama zbut tonet, por sërish s’ka ndihmë

schedule09:28 - 8 Prill, 2020

schedule 09:28 - 8 Prill, 2020

Edi Rama nuk ndryshon qëndrim. Ai është i vendosur të mos jetë krah sportit në këtë moment të vështirë për të gjitha klubet sportive dhe jo vetëm të futbollit. Këtë herë kryeministri është munduar ta zbusë disi qëndrimin e tij, duke u shprehur se i mirëkupton të gjithë, por sipas tij momenti kërkon që të ndihmohen ata që janë më në hall.

“Nuk mendoj se pa atë punën e përjavshme të kalendarit të kampionatit futbollistët janë në vështirësi ekstreme, edhe pse mirëkuptoj absolutisht shqetësimin dhe hallin e tyre në këtë situatë. Unë e kam dhënë një përgjigje për sportin dhe i mirëkuptoj plotësisht klubet e futbollit që janë në hall, por më thoni pak kush nuk është në hall tani këtu?!”, ka deklaruar Rama në emisionin “Përballë”, që transmetohet në RTSH.

“Këtu në hall të madh është vetë qeveria, natyrisht në kuptimin e administratorit të buxhetit për këtë shtëpinë tonë të përbashkët. Të gjithë duhet të bashkëjetojmë me hallin që kemi dhe të ndihmojmë së pari ata që janë më në hall se të tjerët. Dhe më në hall se të tjerët janë ata që realisht duhet të garantojnë ekzistencën dhe kjo është detyra jonë si qeveri”, është shprehur Rama mes të tjerash. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!